Lajme

Shefi i NATO-s: Ka ardhur koha që Turqia ta aprovojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar sot se i ka thënë presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që ka ardhur koha që ajo ta lejojë Suedinë të bëhet anëtare e aleancës ushtarake, pasi Turqia dhe Hungaria janë vendet e vetme të NATO-s që nuk e kanë aprovuar ende formalisht anëtarësimin e Suedisë në aleancë, shkruan albinfo.ch.

Ai për AP u shpreh se i ka bërë thirrje Turqisë ta finalizojë procesin gjatë një takimi me presidentin Erdogan.

“E takova presidentin Erdogan mëngjesin e sotëm dhe ia përsërita mesazhin se ka ardhur koha për ta finalizuar procesin e pranimit për Suedinë”, u shpreh ai.

Ai nuk kishte një datë të saktë se kur mund të kompletohet procesi i ratifikimit.

“Nuk jam në gjendje ta jap një datë të saktë, por e mirëpres faktin se para disa javëve presidenti Erdogan i dorëzoi dokumentet për ratifikim në Parlamentin turk”, tha ai.

Ndryshe, Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s, pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.