Shkurt.ch

Sërish shtrenjtohen biletat e trenit

Çmimet do të ngrihen mesatarisht për 6 për qind, duke filluar nga muaji dhjetor

Nuk ka kaluar as një vit i plotë nga koha kur Ndërmarrja Hekurudhore e Zvicrës SBB-CFF kishte ngritur çmimet e biletave dhe abonamenteve. Sot, kjo ndërmarrje ka kumtuar shtrenjtimin e ri, që do të hyjë në fuqi në dhjetorin e këtij viti.

Sipas federatës së trafikut publik, çmimet do të ngrihen mesatarisht për 6 për qind. Kështu, një biletë vjetore e përgjithshme e klasit të dytë (General-Abonnement), do të shtrenjtohet për 210 franga. Sot ajo kushton 3350 franga. Ndërsa bileta gjysmë çmimi (Halbtax, Demitarife) do të jetë 10 franga më shtrenjtë se tash.

Përgjegjësit e transportit hekurudhor thonë se kjo ngritje çmimesh ka qenë e domosdoshme në kushtet e çmimeve të shtrenjta të shërbimeve për mirëmbajtjen e këtij transporti.