Shkurt.ch

Seksioni i SVP-UDC publikon slogane kundër të huajve

Ato, disa orë më vonë ishin zhdukur nga portali. Në qendrën e SVP-UDC-së thonë se nuk i duhet dhënë rëndësi gjithë kësaj

Një seksion lokal i SVP-UDC-së, ai në Widen të kantonit Aargau ka publikuar në faqen e saj të internetit disa slogane me përmbajtje raciste dhe ksenofobike. Të gjithë vlerësojnë se svp-istët me këto parulla kanë bërë “goditje nën brez”, ndërsa vetë SVP-UDC deri më tash vetëm ka heshtur, shkruan 20minuten.ch.

SVP-ja e Widenit ka publikuar me shkronja të mëdha disa slogane të njohura kundër të huajve, si “Sau Türken” “Ausländer Raus”  ose “Dreck Jugos” (fyerje banale kundër të huajve, turqve dhe “jugosllavëve”) duke u shtuar atyre me shkronja të vogla “shpjegimet”. 

Por, sipas SVP-UDC-së në Widen, këto parulla nuk janë në autorësinë e tyre. Ato janë publikuar vite më parë si përmbajtje satirike anti –SVP, në stupidedia.org ku kjo parti madje përshkruhet si “njëra ndër partitë më ekstreme të djathta, aktualisht në botë”.

Krerët e seksionit partiak të Widen-it nuk ndjehen përgjegjës për përmbajtjen e sloganeve në faqen e tyre. Arkëtari i seksionit, i pyetur për rastin ka thënë se nuk sheh të jetë bërë ndonjë gabim. Vërtet, SVP nuk ka përgjegjësi për përmbajtjen e slloganeve por ka për publikimin e tyre, thotë 20minuten.

Sidoqoftë, pllakatet e përmendura disa orë më vonë ishin zhdukur nga portali. Në qendrën e SVP-UDC-së thonë se nuk i duhet dhënë rëndësi gjithë kësaj. Sipas sekretares së përgjithshme, materia e përmendur “fundja, është shlyer”.