Shkurt.ch

SBB nuk lejon “pushtimin” nga pllakatet e SVP-UDC-së

Këtë qëndrim SBB e ka marrë pas përvojave jo të mira me fushatën e mëparshme të pllakateve, të realizuar muajin e kaluar nga kjo parti

Ndërmarrja Federale e Hekurudhave të Zvicrës (SBB) ka ndërmend të parandalojë SVP-në që të pushtojë hapësirat e stacionit kryesor hekurudhor të Cyrihut me pllakatet zgjedhore të saj.

Këtë qëndrim SBB e ka marrë pas përvojave jo të mira me fushatën e mëparshme të pllakateve, të realizuar muajin e kaluar nga kjo parti. Fushata e përmendur, ku SVP propagandonte “kundër migrimit masiv” sipas SBB-së kishte ngjallur reaksione jo të mira te klientët, shkruan tagesanzeiger.ch.

SBB i ka thënë ndërmarrjes koncesionare “Impacta AG”, e cila merret me shpërndarjen e pllakateve, që të mos e lejojë koncentrimin e pllakateve me përmbajtje politike në një vend.

Në këtë rast, ajo i ka kërkuar të evitojë që propaganda e një partie të zërë shumë vend në hapësirat e stacionit më të madh hekurudhor të Zvicrës.

SVP nuk ka pritur shumë për të reaguar. Ajo akuzon SBB-në se po përdor rregulla të veçanta për SVP-në dhe me këtë ndalesë po merr pozicion të caktuar në fushatën zgjedhore.