Gruaja

Saranda Maliqi: Pjesëmarrja në Mis Zvicra, çelës për karrierën time

Ajo thotë se pjesëmarrja në garën për më të bukurën e shtetit të Zvicrës do t`ia hapë dyert për të bërë një karrierë të bujshme

Kosovarja Saranda Maliqi sivjet do të garojë në mesin e dmbëdhjetë vajzave të tjera të bukura të Zvicrës për titullin “Mis Zvicra 2014”. Në këtë intervistë për albinfo.ch, Saranda Maliqi thotë se pjesëmarrja në garën për më të bukurën e shtetit të Zvicrës është një përvojë e re për të, nga e cila pret që të bëjë një karrierë të bujshme

albinfo.ch: A mund të na tregoni për përvojën e fituar me Miss Zvicra 2014?

Saranda Maliqi: Konkurrimi për mis Zvicra është për mua një përvojë e rrallë dhe e veçantë. Kam pasur mundësi të takohem me njerëz që kanë përvoja të ndryshme si psh. me media, gara bukurie si dhe parti të ndryshme politike. Shkëmbimi i përvojave dhe bisedat me vajza të të gjitha regjioneve zvicerane është për mua një eksperiencë e posaçme dhe shumë pozitive. Gjithashtu dua të theksoj se kjo për mua është edhe një sfidë.

albinfo.ch: Pse keni vendosur të hyni në garën e bukurisë Mis Zvicra 2014?

Saranda Maliqi: Me anë të kësaj kandidature shpresoj se do të hapen dyert e realizimit të ëndrrave të mia. Dua të ju informoj se pranë modelimit gjithashtu moderimi dhe gazetaria janë synime për ardhmërinë time profesionale. Ka vite qe bashkëpunëtorët, miqtë si dhe familjarët më kanë motivuar për të bërë këtë hap duke marrë parasysh pamjen time fizike, aftësinë time për moderim dhe poezi dhe disa cilësi tjera. Unë mendoj se tani jam në një moshë ku vetë i reflektoj dhe i analizoj gjërat dhe e di se çfarë dua.

albinfo.ch: Si arritët të hyni në finale, kur dihet se mbretëronte një konkurrencë e fortë?

Saranda Maliqi: Në garë ishin afër 1‘000 vajza. Pas çdo paraqitje kishte edhe diskualifikime, ku numri vinte gjithherë duke u zvogluar si p.sh. në fillim ato që kualifikoheshin fitonin një të ashtuquajtur „tiket të artë“, pastaj 3 herë me radhe kishte diskualifikime derisa në fund mbeta në mesin e finalisteve. 

abinfo.ch: Kur keni filluar të merreni me manekenizëm? 

Saranda Maliqi: Fillimisht dua të theksoj se konkurrimi për mis dallon nga manekenizmi. Pranë modelimit synimi im primar është moderimi, ëndërroj një emision timin personal si moderatore në televizion.

albinfo.ch: Me kë shoqëroheni, a keni shokë shqiptarë dhe a rrini më shumë me shqiptarë a me zviceranë? 

Saranda Maliqi: Jam rritur në Zvicër, kam shoqe dhe shokë shqiptarë dhe zviceranë. Gjatë kohës së lirë shoqërohem shumë edhe me shqiptarë, mirëpo njerëzit nuk dua t’i ndaj në bazë të nacionalitetit.

albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për bashkëmoshatarët e tuaj shqiptarë në Zvicër?

Saranda Maliqi: Mendoj se bashkëmoshatarët e mi duhet t`i kushtojnë posaçërisht kujdes shkollimit dhe integrimit këtu në Zvicër. Vetëm me anë të shkollimit dhe sjelljeve korrekte në shoqëri mund të sjellim një imazh të mirë këtu si shqiptarë.

albinfo.ch: Prej cilit vend nga Kosova vini ju dhe a shkoni shpesh në vendlindje?

Saranda Maliqi: Jam lindur në Gjilan por tani ka vite që jemi zhvendosur në Prishtinë. Në vendlindje shkoj së paku një herë në vit, sipas mundësive edhe më shpesh. 

albinfo.ch: Çka di për Kosovën?

Saranda Maliqi: Për Kosovën kam mësuar dhe dëgjuar shumë. Fillimisht kam mësuar nga familja, sidomos nga nëna të cilën  5 vite me radhë e kam pasur mësuese  të gjuhës shqipe në mësimin plotësues këtu në Zvicër, prej nga edhe e kam mësuar shumë mirë gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare. Pastaj kontakti me familjarët dhe miqtë nga Kosova më kanë ndihmuar të di më shumë për Kosovën.

albinfo.ch: Çfarë përkrahje keni prej familjes?

Saranda Maliqi: Familja ime më përkrah në çdo hap, pa marrë parasysh a ka të bëjë me kandidaturën për miss Zvicra apo jo. 

albinfo.ch: A mendoni se do të zgjidheni mis Zvicra 2014, me çfarë konkurrence do të përballeni? Mos ndoshta dyshoni në përzgjedhjen tuaj për shkak të origjinës kosovare?

Saranda Maliqi: Unë mendoj se me apo pa titullin miss Zvicra do t’i arrij qëllimet e mia. Deri më tani jam e kënaqur me suksesin që kam arritur.

Origjina kosovare mund të jetë një pengesë  për përzgjedhjen time. Mirëpo unë jam krenare dhe jam e lumtur që jam shqiptare. 

albinfo.ch: Mendoni se tashmë keni hyrë në botën e artit të bukurisë?

Saranda Maliqi: Në njëfarë mënyre po, mirëpo është vetëm fillimi.

 

Kush është Saranda Maliqi

Saranda Maliqi, 23 vjeçe, jeton në Schönnewerd të Solothurnit dhe punon si asistente e sekretarit të komunës si dhe përgjegjëse për nxënësit në zanat. Deri më tash ajo ka kryer shkollimin profesional për administratë publike, ndërkaq, pjesën praktike e ka përfunduar në komunë. Saranda garon në tetor për më të bukurën e Zvicrës. Ajo dhe Anita Shala do të jenë në mesin e tetëmbëdhjetë kandidateve të tjera.

Sevdail Tahiri

Foto: Admir Saiti