Lajme

Rriten vjedhjet e kriptovalutave

Shumica e vjedhjeve të kriptove ndodhin në një shkallë më të vogël, por gjatë viteve 2021 dhe 2022 ka pasur një rritje të sulmeve të profilit të lartë

Më 29 mars, rrjeti i blockchain Ronin njoftoi vjedhjen e 173,600 tokenave eter, monedha e blockchain-it Ethereum, dhe të 25.5 milionë tokenave USD Coin.

Ky rrjet njihet më shumë për lidhjen e tij me lojën e NFT, Axie Infinity, ku lojtarët mund të fitojnë, të tregtojnë dhe të shesin tokena, duke rritur dhe duke trajnuar disa krijesa të ngjashme me Pokemon.

Megjithëse vjedhja u përkthye në humbje prej më shumë se 610 milionë dollarësh në kohën kur u bë njoftimi zyrtar, asetet përkatëse kapnin vlerën e 540 milionë dollarëve më 23 mars, ditën kur ndodhi vjedhja.

Edhe sipas këtij përkufizimi, incidenti i Ronin renditet në vendin e dytë për sa u përket grabitjeve më të mëdha të kriptove të të gjitha kohërave, siç tregon grafiku i mëposhtëm.

Në vend të parë renditet hakimi i Poly Network, i cili ndodhi në gusht të vitit 2021, duke arritur shumën e 610 milionë dollarëve. Megjithatë, pothuajse të gjitha fondet u rikthyen nga hakerët disa ditë pas vjedhjes, pasi ata pretendonin se qëllimi i tyre ishte vetëm që të ekspozonin rreziqet e sigurisë së kësaj platforme.

Shumica e vjedhjeve të kriptove ndodhin në një shkallë më të vogël, por gjatë viteve 2021 dhe 2022 ka pasur një rritje të sulmeve të profilit të lartë, të cilat kanë sjellë humbje në mbi 150 milionë dollarë, duke shfaqur kështu një nga disavantazhet e mundshme të zgjidhjeve të financave të decentralizuara (DeFi), për të cilat ka pasur interes dhe përdorim në rritje.

Ndër vjedhjet më të njohura janë hakimi e platformës së transferimit të informacionit Wormhole në shkurt, ku hakerët vodhën tokena eteri në vlerë prej 326 milionë dollarë, si dhe hakimi i platformës së tregtimit të kriptove BitMark. Në të dyja këto raste, përdoruesit u kompensuan nga platformat për humbjet.

Sipas specialistëve të vlerësimit të riskut të kriptove Crystal Blockchain, hakerët arritën të merrnin 4.3 miliardë dollarë në kriptovaluta vetëm në vitin 2021.

Sulmuesit që shfrytëzonin protokollet e DeFi dyshohet se shkaktuan humbje deri në rreth 1.4 miliardë dollarë, ndërsa 2.3 miliardë dollarë të tjera humbën për shkak të aktiviteteve të mashtrimit. / Monitor