Kosova

Reagon BE, dënon sulmet ku u vra një polic i Kosovës në veri

Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, përmes një reagimi në rrjetin social X ka dënuar sulmet në veri ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ai mes tjerash ka kërkuar që autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë.

”Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë. Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, ka shkruar Borrell. Tutje ai ka shkruar se EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. “BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, theksoi Borrell.