Lajme

Qielli i verdhë mbi Cyrih, 180,000 ton pluhur mbi Zvicër

Një sasi e jashtëzakonshme pluhuri nga Sahara ka mbuluar qiellin zviceran që nga e premtja, duke ulur ndjeshëm dukshmërinë dhe duke i dhënë një nuancë të verdhë dritës së diellit në një pjesë të madhe të vendit.

“Ardhja e pluhurit nga Sahara çon në një rënie shumë të qartë të diellit dhe dukshmërisë. Ka gjithashtu një rritje të përqendrimit të grimcave të imëta”, thuhet në njoftimin nga MeteoSwiss.

Meqenëse pluhuri është i përqendruar nën 3000 metra, cilësia e ajrit është përkeqësuar veçanërisht, nga brigjet e liqenit të Gjenevës në pjesën tjetër të vendit.

AirCheck, aplikacioni i lansuar nga kantonet për të ofruar të dhëna në kohë reale për cilësinë e ajrit në Zvicër, ka njoftuar se ndotja e ajrit është e lartë në një korridor nga jugperëndimi në verilindje të vendit.

Një sasi jashtëzakonisht e lartë

Ky pluhur arriti në rreth 180,000 tonë, sipas modeleve të llogaritjes së përdorur, tha për radion publike meteorologu Roman Brogli i SRF Meteo, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, kjo është një sasi jashtëzakonisht e lartë, teksa ngjarjet e fundit të këtij lloji kanë sjellë vetëm gjysmën e këtij vëllimi në Zvicër.

Tashmë të premten, një erë e fortë jugore kishte transportuar rërë nga Sahara nga Afrika veriore në Zvicër.

Midis 60 dhe 200 milion ton në vit

Sahara është burimi më i madh i pluhurit mineral, që çliron nga 60 deri në 200 milionë tonë në vit dhe ndërsa grimcat më të mëdha bien shpejt në tokë, ato më të voglat mund të transportohen mijëra kilometra dhe të arrijnë në të gjithë Evropën.

Ndërsa vendoset, kjo rërë i jep borës një nuancë portokalli.

Nëse ky pluhur nuk mund të gërvisht skitë, megjithatë mund të ketë një efekt në shkrirjen, veçanërisht atë të akullnajave.

Duke reduktuar fuqinë reflektuese të akullit, pluhuri lehtëson thithjen e energjisë diellore.

Situata pritet të përmirësohet shpejt dhe fenomeni duhet të jetë zhdukur deri në mëngjesin e së dielës.