Futboll

PSG në verë pritet t’i largojë Neymarin dhe Messin

Në fund të këtij sezoni, Paris Saint-Germain do të nisë një rikonstruktim të ekipit, ndryshe nga praktika e deritanishme – bën të ditur RMC Sport.

Kampioni francez thuhet se do të heqë dorë nga blerja e yjeve të shtrenjtë dhe do të fokusohet te futbollistët e rinj, përmes të cilëve do ta ndërtojë të ardhmen përreth Kylian Mbappes.

Këshilltari i futbollit, Luis Campos, ka për detyrë të hartojë një plan për skuadrën e re, ndërsa spekulohet se ai nuk llogarit më në Neymar dhe Lionel Messi, të cilët pritet të largohen nga klubi në verë.

RMC Sport thekson se braziliani kërkohet nga disa klube angleze (Chelsea dhe Newcastle United), ndërsa Messi ka oferta nga MLS dhe Arabia Saudite, ndaj nuk ka të ardhme për ta në Paris.