Gjuha
Profesori nga Tirana ligjëron në Cyrih mbi idenë nacionale shqiptare
“Nacionalizmi shqiptar ne kontekstin ballkanik dhe evropian, me një ekskurs mbi diasporën shqiptare” është titulli i ligjëratës së mbajtur nga Dr. Enis Sulstarova, para studentëve shqiptarë të Cyrihut
Çfarë është nacionalizmi shqiptar dhe cilat janë rrethanat në të cilat ka lindur dhe është zhvilluar ai, kush kanë qenë bartësit e tij, çfarë e dallon atë nga nacionalizmat e tjerë, të popujve fqinj dhe të tjerëve…
Këto ishin pak a shumë pyetjet, të cilave është përpjekur t’u përgjigjet Prof. Asoc. Dr. Enis Sulstarova në një ligjëratë të organizuar nga shoqata “Studenti” e Studentëve Shqiptarë të Cyrihut, që u mbajt më 25 nëntor në ambientet e Universitetit ETH të Cyrihut, shkruan albinfo.ch. Aktivitetin e ka drejtuar me mjaft kompetencë Eleonit Smajli, kryetar i shoqatës.
“Nacionalizmi shqiptar në kontekstin ballkanik dhe evropian, me një ekskurs mbi diasporën shqiptare”, mbante titullin ligjërata e pedagogut të njohur të Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, të cilën e mbajti para një numri të konsiderueshëm të interesuarish, studentë dhe të tjerë.
Dr. Enis Sulstarova
Fillet e nacionalizmit shqiptar gjegjësisht të konsolidimit të idesë nacionale ndër shqiptarët, Sulstarova i sheh, sigurisht te Rilindja Kombëtare, nga mesi i shekullit XIX e deri në pavarësimin e shtetit shqiptar. Në mesin e ideologëve të këtij kombi të ri ai përmend emrat e njohur të rilindësve si Naim e Sami Frashërin, Jani Vreton, Vaso Pashë Shkodranin etj.
Sipas tij, nacionalizmi shqiptar, në asnjë rast nuk ka përfaqësuar ide ekspansioniste, në dëm të fqinjëve. Kështu, në vizionet e tyre për shtetin shqiptar, rilindësit kanë qenë realistë. Ata, ndryshe nga ideologët e nacionaizmave fqinj, kanë paraparë që shteti shqiptar të shtrihej në territoret me shumicë dërmuese shqiptare, pra në katër vilajetet ekzistuese, sipas ndarjes administrative otomane.
Për më tepër, siç e thekson prof. Sulstarova, ideologë të tillë të kombit shqiptar si Sami Frashëri, për shembull, janë aq gjenerozë sa që parashohin që pjesëtarët e pakicave kombëtare, në periferitë e vendit, të kenë të drejta shumë të gjera nacionale. Këto qëndrime ngjajnë me konceptet moderne për të drejta etnike dhe të njeriut, ndonëse janë shqiptuar rreth 150 vjet më parë.
Të pranishmit mbajtën një minutë heshtje për tragjedinë në të cilën humbën jetën 46 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, kryesisht shqiptarë, në Bullgari
Më tutje prof. Sulstarova e sheh nacionalizmin shqiptar më të avancuar dhe më tolerant në krahasim me atë të kombeve tjera edhe në një aspekt: ideja kombëtare shqiptare nuk mbështet në një religjion, siç ndodhte te nacionalizmi serb dhe nacionalizmat tjerë ballkanikë, shkruan albinfo.ch.
Duke mos u identifikuar me një religjion të caktuar, në rastin tonë, duke i ikur identifikimit me religjionin shumicë (mysliman), nacionalizmi shqiptar ka qenë që në fillimet e veta një nacionalizëm “qytetar”, “civil”. E tillë ka qenë edhe ideja shtetformuese e shqiptarëve, civile, laike dhe larg ndasive fetare.
Prof. Enis Sulstarova duke elaboruar në gjerësi e thellësi lindjen e nacionalizmit shqiptar, ka thënë se ai, në kushtet e shekullit XIX ka pasur edhe qasje romantike, kombinuar me atë reale, shkencore e historike. Këtë qasje kanë pasur poetët dhe ideologët e kombit si Naim Frashëri dhe të tjerë, të cilët, për të selitur idenë e kombit ndër shqiptarët, kanë treguar, për shembull një pamje të idealizuar të natyrës së Shqipërisë, në frymën e romantizmit.
Në analizën e tij të nacionalizmit në kohët moderne, sidomos në kontekstin e përpjekjeve për çlirim të Kosovës, në dekadat e fundit të shekullit të XX, prof. Sulstarova pikas një lloj vazhdimësie të Rilindjes Kombëtare. Kjo shihet, si në frymën properëndimore, ashtu dhe në atë laike të lëvizjes kombëtare të shqiptarëve, të kësaj kohe. Në këtë kontekst, për të ilustruar frymën e kësaj lëvizjeje, ai citon disa nga emrat e njohur si ideologë të kombit shqiptar në këtë kohë, si: Ukshin Hotin, Fehmi Aganin, Rexhep Qosjen etj.
Nga debati
Ligjëruesi është ndalur edhe në dasporën, rolin e saj në lëvizjet për çlirimi dhe shtetformim, në kontekstin historik, të Rilindjes Kombëtare dhe në atë të kohës më të afërme, të lëvizjeve për çlirim të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare. Në të gjitha fazat, diaspora ka pasur një rol pothuajse vendimtar, ka thënë Sulstarova.
Ai ka thënë se parapëlqen emërtimin “diasporë” më shumë se atë “mërgatë”, për faktin se fjala “diasporë” kuptohet si një ngulim pak a shumë i përhershëm i një popullate në vend të huaj. Dhe ne, shqiptarët në vendet e huaja ku jetojmë, si në shembullin tonë, në Zvicër, jemi “të përhershëm”, e pranam ne ose nuk e pranuam… Por, fakti se brenda kësaj diaspore ka edhe organizime të bëra nga brezi i dytë ose i tretë i diasporës, të tilla sikur kjo ligjëratë, flet për vitalitetin e kësaj diaspore, ka konstatuar profesori nga Tirana.
Në vazhdim, ligjëruesi Sulstarova ka zhvilluar një debat të frytshëm me të pranishmit në sallë, me ç` rast u është përgjigjur interesimeve të ndryshme të tyre brenda temës së ligjëratës.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe shefi i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati dhe Konsullja Shukrije Ramadani.
(Fotot: Xhevdet Kallaba)
Të ngjashme
Të tjera nga Gjuha
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër? Gomat e dimrit nuk janë të detyrueshme në Zvicër. Ekspertët besojnë se rregulloret aktuale janë të...
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes