Shkurt.ch

Procedura të shpejtuara për delinkuentët tunizianë

Vetëm në një qendër strehimi, prokuroria e përgjithshme e St. Gallenit ka iniciuar 70 procedura për delikte të lehta

Numri i azilkërkuesve nga Tunizia në Zvicër gjatë vitit 2011 është shtatë herë më i madh se në vitin paraprak. Kështu, nëse në vitin 2010 vetëm 360 tunizianë kanë kërkuar azil në Zvicër, një vit më vonë këtë e kanë bërë 2500 sish, konstaton magazina televizive “Rundschau”.

Ndërkohë, një numër azilkërkuesish nga ky vend veriafrikan kanë filluar të përbëjnë shqetësim për organet e rendit. Ata po shkaktojnë probleme në qendrat e pranimit ku janë strehuar por edhe jashtë tyre.

Vetëm në qendrën e strehimit të azilkërkuesve në Landegg të Zvicrës lindore prokuroria e përgjithshme e St. Gallenit ka iniciuar 70 procedura për delikte të lehta. Një numër i tillë për një qendër ku janë të strehuar 400 persona, konsiderohet tepër i lartë, thonë në këtë prokurori.

Ndaj shumicës së këtyre delinkuentëve në fjalë realizohet një procedurë e shpejtuar, për t`i vetëdijesuar lidhur me peshën e veprimeve të tyre.