Kosova

Prishtina proteston kundër fituesit “Nobel”, adhurues i Milosheviçit

Meqenëse Akademia Suedeze e Shkencave shpërbleu me çmimin Nobel për Letërsi autorin austriak, Peter Handke, si një mbështetës i Sllobodan Millosheviçit, ka ngjallur reagime të shumta jo vetëm nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës e Shqipërisë, por edhe nga njohës të letërsisë botërore.

Në Prishtinë në orën 11:00, sot pritet të mbahet një protestë para Ambasadës së Suedisë, duke kërkuar anulimin e Nobelit për Letërsi. Anulimin e vendimit të Akademisë Suedeze e ka kërkuar edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, si “akt mirëkuptimi e solidariteti me të gjithë popujt e botës që luftojnë për liri dhe vlera demokratike”.

Po ashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar për ndarjen e Nobelit për Letërsi 2019, duke thënë se vendimi i Nobel ka sjell dhimbje të pamasë te viktimat e panumërta.

Nga ana tjetër Sekretari i përhershëm i Akademisë suedeze, Mats Malm, ka thënë për New York Times se komiteti i bën përzgjedhjet mbi baza letrare dhe estetike dhe se “nuk është mandati i akademisë të balancojë cilësinë letrare kundrejt konsideratave politike”, përcjell albinfo.ch.