Shkurt.ch

Politikani i SVP-së “shërbehet” në arkat e partisë

Me këtë rast Markus Truog fajësohet të ketë tjetërsuar para në shuma gjashtëshifrore

Kryetari i seksionit të SVP-UDC-së në komunën Ostermundigen të Bernës Markus Truog akuzohet se është “shërbyer” në arkat e tri shoqatave në të cilat ai ka pasur funksionin e arkëtarit, me ç`rast thuhet të ketë tjetërsuar para në shuma gjashtëshifrore.

Truog ka dhënë dorëheqje të përnjëhershme nga të gjitha funksionet që ka pasur dhe ka bërë vetëpadi.

SVP-UDC e Ostermundingenit e ka bërë publike mbrëmjen e të mërkurës dorëheqjen e kryetarit të saj. Ndërsa vetëpadia, sipas saj ka ardhur “për shkak të incidenteve të ndodhura viteve të fundit”. Truog është penduar për çfarë ka ndodhur dhe dëshiron të bëjë gjithë çka është e mundur për të kompensuar dëmin.

Truog ka 50 vjet dhe punon në komunën Ostermundigen. Deri në dorëheqje ai kishte funksionin e nënkryetarit të komunës. Në vitin 2013 ai do të mund të zgjidhej kryetar komune.

Në seksionin e tij të SVP-UDC-së Truog ishte arkëtar që nga viti 2002. Atëbotë ai e kishte marrë postin pasi që paraardhësi i tij duhej të dorëhiqej për shkak të përvetësimit të 100.000 frangave.