Tematike

Policia për vitin 2021 planifikon 279 milionë franga nga gjobat e trafikut

Shuma më e madhe e të hollave pritet të "vilet" në qytetin e Cyrihut, gjithsej 61 milionë franga

Autoritetet e policisë së trafikut, në Zvicër, sikur për shumë aspekte të tjera, bëjnë parallogaritjen edhe për përfitimet nga gjobat e lëshuara për shkeljet në trafik.

Kështu, për vitin 2021 këto autoritete, (radhe vetëm ato  të kantoneve gjermanishtfolëse) kanë parashikuar gjithsej 279 milionë franga në emër të gjobave në fjalë, shkruan watson.ch.

Kjo shumë është për 8.7 milionë franga më e ulët se ajo e vitit të kaluar.

Shuma më e madhe e të hollave pritet të “vilet” në qytetin e Cyrihut, gjithsej 61 milionë franga. Përveç që si shumë absolute është më e madhja (për shkakun se ky qytet ka më së shumti banorë në Zvicër) shuma në fjalë, edhe e ndarë për kokë banori është dukshëm më e lartë se në kantonet dhe qytetet tjera, transmeton albinfo.ch. Ajo është 143 franga ndërkohë që vendin e dytë e mban Kantoni Uri me 118 franga dhe të tretin, Kantoni Nidwalden me 81 franga për kokë banori.

“Buxheti nga gjobat nuk përbën stimulim për policinë”

Buxhetet që përfitohen nga  gjobat nuk kanë asnjë ndikim në polici, thotë një zëdhënës i departamentit të sigurisë , i Bazelit. Nëse policët lëshojnë më pak gjoba parkimi, kjo nuk ndikon në pagat e tyre, përcjell albinfo.ch. Njësoj, ata nuk do të kenë ndonjë përfitim as në rastet kur japin gjoba të larta.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është siguria në rrugë”, thotë një zëdhënës i policisë së kantonit të Schaffhausen-it. Po pati më pak gjoba do të nënkuptojmë “që shfrytëzuesit e rrugës po u përmbahen rregulloreve në fuqi dhe që për këtë arsye kemi një siguri të mirë rrugore”, përcjell albinfo.ch. Dhe, nëse rezulton kështu, thotë ai: “Qëllimi është arritur!”