Tematike

Për tri javë Zvicra nuk do të ketë më shtretër të lirë në kujdesin intensiv

Task forca parashikon në mënyrë specifike tre skenarë sa i takon zënies së shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv

Martin Ackermann, kreu i Task Forcës Shkencore të covidit, që vepron në nivel federal, ka thënë se sipas skenarëve të task Forcës, vendet në njësitë e kujdesit intensiv do të jenë të mbushura komplet më së voni deri më 18 nëntor – nëse nuk do të ketë ndryshime thelbësore sa i përket rritjes së numrit të infeksioneve, shkruan watson.ch

Task forca parashikon në mënyrë specifike tre skenarë sa i takon zënies së shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv: Skenarit i kaltër, i kuq dhe i verdhë, transmeton albinfo.ch. Në skenarin e kuq, pranimet në njësitë e kujdesit intensiv zhvillohen ashtu siç janë aktualisht, që do të thotë se sipas ritmit aktual, ato dyfishohen brenda shtatë ditësh.

Skenari blu supozon këtë rritje brenda 5 ditësh, ndërsa ai i verdhë, parasheh 10 ditë.

Nga kjo rezulton se në rastin më të keq njësitë e kujdesit intensiv do të jenë të mbushura më 5 nëntor ndërsa në rastin më të mirë, më 18 nëntor.

Në konferencën për shtyp, Martin Ackermann, kreu i Task Force të Shkencës, ka përdorur fjalë të qarta në këtë drejtim, përcjell albinfo.ch. I pyetur nëse masat aktuale ishin të pamjaftueshme, ai është përgjigjur: “Jo në këndvështrimin tonë, jo. As përafërsisht “.

Për këtë arsye, task forca ka hartuar një katalog të masave bazuar në raportin e saj aktual të menaxhimit.

Këto janë 10 masat që i kërkon ajo:

  • Puna online nga shtëpia (Home Office) për të gjithë punonjësit për të cilët kjo është e mundur.
  • Mbajtja e maskave nga të rinjtë dhe të rriturit në të gjitha hapësirat e brendshme dhe në ambientet e jashtme të mbipopulluara (tregje rrugësh, etj.).
  • Mbyllja e objekteve argëtuese dhe rekreative në hapësira të ngushta dhe të ajrosura dobët të brendshme ku kushtet mundësojnë transmetimin e koronavirusit midis njerëzve në kontakt të ngushtë.
  • Kufizimi i tubimeve private në më pak se 10 persona.
  • Kufizimi i tubimeve publike për më pak se 50 persona.
  • Kufizimi i orarit të hapjes së restoranteve dhe bareve, p.sh. në orën 21:00.
  • Ndërprerja e aktiviteteve me rrezik të lartë të përhapjes së koronavirusit, p.sh. sporte me kontakt të drejtpërdrejtë, këndim ose muzikë me instrumente frymore.
  • Kalim në arsim ekskluzivisht online në të gjitha institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë, ku një mësim i tillë është i mundur.
  • Rritja e numrit të qendrave të testmit për koronavirus dhe e numrit të gjurmuesve të kontakteve.
  • Testimet e rregullta të punonjësve në mjedise me rrezik të lartë.
  • Ackermann, pas numërimit të masave ka shtuar: “Ne rekomandojmë zbatimin e masave deri në mars ose prill të vitit 2021 në mënyrë që të shmanget “efekti yo-yo” (efekti i kthimit në gjendje të mëparshme.