Integrimi

Pas refuzimit të pasaportës për Hamdiun, Halilajt ndërrojnë vendbanimin

Hamdiu dhe gruaja e tij, Buqja, kanë blerë bashkë me djalin e tyre 22-vjeçar, Meritonin, një truall prej 233 metrash katrorë, me  një ndërtesë brenda parcelës

Shtetasi kosovar, Hamdi Halili, të cilit Asambleja e Qytetarëve të Bubendörf-it së fundmi ia refuzoi për herë të dytë kërkesën për natyralizim, ka blerë një shtëpi në Liestal. Kjo kritikohet nga njëri prej atyre, të cilët që nga fillimi kanë qenë kundër natyralizimit të Hamdiut. Ai flet për gazetën Basler zeitung lidhur me rastin.

Ndërkohë që shumë qytetarë janë shprehur të indinjuar dhe disa prej tyre madje duan të heqin dorë nga të drejtat e tyre civile në shenjë solidariteti me Halilajt, ata që refuzuan aplikimin më 21 dhjetor, deri më tani kanë mbetur çuditërisht të heshtur, transmeton albinfo.ch artikullin e gazetës së përmendur. Akuza që përdorin kritikët është se refuzimi i natyralizimit nuk ishte i justifikuar në mënyrë adekuate. Kjo kishte ndodhur përkundër faktit se Gjykata Kantonale e Bazellandit e kishte kërkuar në mënyrë të qartë justifikimin në fjalë, në fund të vitit 2018 kur kishte urdhëruar përsëritjen e votimit të parë, të bërë më 2016.

Të rikujtojmë: Më 21 dhjetor 2019, Asambleja e Qytetarëve e Komunës Bubendorf i ka hedhur poshtë për herë të dytë Hamdi Halilit kërkesën për natyralizim (marrje të pasaportës zvicerane), shkruan albinfo.ch. Herën e parë, në vitin 2016, ndër “arsyet” e refuzimit kishte qenë veshja e Halilajve me “trenerka” (veshje sportive, tuta).

Raporton një kundërshtar “i orëve të para”

Günter Maciejowski është kundërshtari i parë i natyralizimit të familjes Halili, i cili është shprehur publikisht rreth kësaj. Gjermani i pensionuar kishte ardhur në Zvicër në vitin 1972 si ekspert i kërkuar dhe prej atëherë ka qëndruar këtu. Në bisedë e sipër bëhet shpejt e qartë se për të nuk ka ndryshuar asgjë që nga viti 2016 dhe, sipas tij, janë të njëjtat arsye që flasin kundër natyralizimit prej atëherë: “Deri më sot, Hamdi Halili nuk është integruar realisht. Ai vazhdon të zotërojë dobët gjuhën gjermane – edhe pas rreth 20 vjetësh në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Maciejowski gjithashtu nuk dëshiron të harrojë zhurmat e natës nga një alarm defekt i makinës së Halilajve. Diçka për të cilën Maciejowski kishte kritikuar edhe tre vjet më parë. “Hamdi Halili asnjëherë nuk më ka kërkuar falje”, kujton ai.

Për Maciejowskin, vendimi i Qeverisë Federale për dëbim të familjes Halilaj, i shqiptuar në vitin 2005 ende vlen për të gjithë familjen. Ai nuk dëshiron të pranojë që Halilajt më në fund patën marrë Vizën B në vitin 2007 nga Qeveria Federale pas azilit kishtar që u ishte ofruar pas vendimit të vitit 2005 për dëbim, përcjell albinfo.ch.

Pa argumente të reja

Ai është i preokupuar kryesisht me dy pyetjet në vijim: “Përse familja qe larguar së pari nga Kosova në vitin 1993 dhe kishte kërkuar azil në Gjermani? Dihet se lufta në Kosovë kishte filluar vetëm pesë vjet më vonë. Dhe pyetja e dytë: përse nuk u kthyen përgjithmonë në Kosovë pasi që lufta kishte mbaruar në vitin 1999, por u kthyen në Zvicër në vitin 2002?”.

As Maciejowski nuk jep argumente të reja. Por ai tani përmend diçka tjetër: Halilajt kanë blerë një shtëpi në Liestal. Në të vërtetë: Gazeta zyrtare e 25 korrikut 2019 regjistron se Hamdiu dhe gruaja e tij, Buqja kanë blerë bashkë me djalin e tyre 22-vjeçar Meritonin, një truall prej 233 metrash katrorë, me  një ndërtesë brenda parcelës, përcjell albinfo.ch. Sipas regjistrit të tokës, blerja është bërë më 10 korrik.

Për pasaportë duhet pritur së paku edhe 3 vjet

A po largohet kështu së shpejti familja Halili nga Bubendorfi? Pra, nga vendi që u dha atyre azilin kishtar në vitin 2005, por edhe natyralizimin (pasaportën) Buqes dhe dy djemve?. Sipas një personi që njihet me familjen dhe që dëshiron të mbetet anonim, Halilajt do të largohen. Fatkeqësisht, gazeta nuk mundi ta kontaktonte Hamdi Halilin, për ta konfirmuar përfundimisht këtë gjë. Një indikacion ndërkaq ekziston: Pas mbledhjes së komunitetit më 21 dhjetor, Hamdiu kishte bërë të ditur se nuk do të apelonte.

Një gjë është e qartë: Nëse 57-vjeçari ndryshon vendbanimin e tij, kapitulli i tashëm i natyralizimit të tij mund të quhet tashmë i mbyllur. Sipas rregullave të natyralizimit të Liestal-it, shtetasit e huaj duhet të kenë jetuar në këtë komunë për pesë vjet rresht para se ta bëjnë kërkesën për natyralizim, transmeton albinfo.ch. Këshilltari i kësaj komune, Hans-Rudolf Schafroth i referohet me këtë rast ligjit kantonal të të drejtave civile. Prandaj, një aplikim do të ishte i mundur pas të paktën tri vitesh qëndrimi në të njëjtën komunë.

Halilajt, të integruar

Për politikanin Schafroth, i cili deri në verën e kaluar ishte përfaqësues i SVP-së në këshillin e rrethit dhe ishte marrë me natyralizime në komisionin e peticionit, blerja e pronësisë së shtëpisë nga Halilajt është “një shenjë integrimi”. Günter Maciejowski, nga ana tjetër ngre pyetjen: “Si mund të blejnë Halilajt shtëpi?” I njohuri i përmendur i familjes ka këtë përgjigje: Hamdiu dhe Buqja bëjnë punë në dy ndërrime. Ai punon në një kuzhinë në Therwil ndërsa ajo punon në pastrim, në Thürnen. “Ata dhe djali i tyre i madh kanë kursyer duke punuar me mundime të mëdha – veprim ky tipik zviceran”.