Lajme

Pabarazi në paga, gratë në BE paguhen 13 për qind më pak se burrat

Gratë në Bashkimin Evropian (BE) paguhen mesatarisht 13 për qind më pak se burrat të cilët e bëjnë të njëjtën punë, tha Komisioni Evropian (KE) të martën.

Kjo po ndodh pse BE-ja e ka një ligj tashmë për pagë të barabartë.

“Pagë e barabartë për punën e njëjtë, apo për punë të vlerës së njëjtë, është njëra nga parimet thelbësore të BE-së. U vendos në Traktatin e Romës më 1957”, tha Komisioni në një komunikatë.

KE-ja shtoi se, megjithatë, përparimi në eliminimin e hendekut gjinor në paga ka ngecur dhe ka qenë i ngadaltë në vitet e fundit.

Për të ndihmuar në adresimin e këtij problemi, Komisioni Evropian e ka themeluar një Direktivë për Transparencë në Pagesë, e cila hyri në fuqi në fillim të qershorit.

Direktiva, një ligj i BE-së, vendos për kornizën se si të aplikohet ideja e “punës së vlerës së njëjtë” dhe kriteret krahasore të cilat përfshijnë aftësitë, përpjekjet, përgjegjësitë dhe kushtet e punës.

Direktiva ka për qëllim t’i ndihmojë punëtorët ta vërejnë diskriminimin në pagë dhe ta sfidojnë atë.

Por, kjo direktivë ende nuk është bërë ligj në 27 vendet e BE-së, të cilat i kanë tri vjet kohë për ta bërë këtë.