Futboll

Orari i ndeshjeve të Kosovës në Ligën e Kombeve

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e nis në shtëpi rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Për kundërshtare të parë do ta ketë Rumaninë, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se ndeshja Kosova – Rumania luhet më 6 shtator. Tri ditë më vonë luan ndaj Qipros në udhëtim.

Më 12 tetor do ta zhvillojë një tjetër ndeshje në udhëtim. Për kundërshtare do ta ketë Gjibraltarin ose Lituaninë.

Më 15 tetor e pret Qipron, ndërsa dy ndeshjet e fundit të Grupit 2 Të Ligës C, do t’i ketë në nëntor.

Më 15 nëntor luan në udhëtim ndaj Rumanisë, derisa tri ditë më vonë e pret Gjibraltarin ose Lituaninë.

Këto dy përfaqësuese do të përballen kundër njëra-tjetrës në plejaut. Fituesi pastaj do t’i bashkohet grupit.

Për Kosovën kundërshtarët nuk janë të panjohur. Rumaninë e kishte në grupin kualifikues për “Euro 2024”, kurse Qipron në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Kosova barazoi pa gola ndaj Rumanisë në Prishtinë më 16 qershor, ndërsa humbi në Bukuresht më 9 shtator me rezultatin 2:0.

Kosova pati telashe në Bukuresht, në ndeshjen që e pati zhvilluar në shtator. Ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 18-të, kur një grup huliganësh rumunë në stadium pati shfaqur panon “Kosova është Serbi”.

Ndeshja më pas nuk pati vazhduar për plot 50 minuta.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, Kosova fitoi dy ndeshjet e saj përballë Qipros. E mposhti në udhëtim 2:0 më 2 qershor, ndërsa fitoi 5:1 në Prishtinë më 27 shtator.

Pati fituar në miqësore ndaj Gjibraltarit 1:0 më 10 tetor të vitit 2019. Fitore pati shënuar edhe ndaj Lituanisë. E pati mposhtur thellë 4:0 në mars të vitit 2021.

“Nuk është grup i keq. Janë ekipe që i njohim nga e kaluara. Nuk mund të them që është grup i dobët, është grup korrekt. Grup që mund të kalohet, duke pasur parasysh formën që po e kalojnë aktualisht lojtarët nëpër klubet e tyre. Uroj që ta kemi grupin e kompletuar për të gjitha ndeshjet. Uroj të jemi në vendin e parë. Besoj se do të jemi në vendin e parë. Realisht kërkojmë të jemi në vendin e parë. Ky është edhe objektivi ynë, pasi tani do të ndjekim rezultatet, edhe pse asgjë në futboll nuk ka të sigurt. Por uroj të kemi më shumë fat”, ka thënë të enjten kryetari i FFK-së, Agim Ademi.