Shkurt.ch

Nxënësit zviceranë, të dobët në anglisht

Zvicra, e 11-a, jep për mësimin e anglishtes 95132 franga për një nxënës ose 18.000 franga më shumë se Norvegjia që ka zënë vendin e parë

Asnjë shtet në botë nuk investon sa Zvicra për mësimin e hershëm të anglishtes në shkollat e veta, por si duket ky investim ka shkuar kryesisht huq. Në një studim krahasimtar të bërë lidhur me nivelin e njohjes së anglishtes në shkolla, Zvicra zë vetëm vendin e njëmbëdhjetë. Para saj janë jo vetëm Norvegjia, Holanda, Danimarka e Suedia, por edhe Polonia, e Malajzia.

Zvicra, sipas studimit të bërë nga instituti Tepav me seli në Turqi, jep për mësimin e anglishtes mesatarisht 95132 franga për një nxënës në moshat në mes të 6 dhe 15 vjeç. Kjo shumë është për 18.000 franga më e lartë se ajo që jep Norvegjia që ka zënë vendin e parë ndërsa për 55000 franga më e lartë se shuma që investon Polonia për këtë qëllim.

Sipas njohësve të problematikës, niveli i ulët i njohjes së anglishtes te nxënësit zviceranë ka të bëjë me ngarkesën e mësuesve të anglishtes dhe me numrin e vogël të orëve të kësaj gjuhe në sistemin shkollor të këtushëm.