Gjuha

Nxënësit në diasporë pa tekste shkollore

Ministria e Arsimit e Kosovës u ka ofruar zgjidhje të paktën me internet shkollave shqipe në diasporë

Shkollat shqipe kanë filluar me telashe vitin e ri shkollor në diasporë, duke mos përmbushur as nga afër pritjet e mësimdhënësve, të prindërve dhe nxënësve të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër.

Mësimdhënësit filluan mësimin jo vetëm me probleme për të mbushur shkollat shqipe me më shumë nxënës në Zvicër, por edhe për të siguruar tekstet shkollore, të cilat ua premtuan institucionet arsimore të Kosovës.

Abas Fejzullahi, sekretar në LAPSH, ka konfirmuar për albinfo.ch se viti shkollor ka filluar në diasporë pa disa tekste shkollore.

Bëhet fjalë për tekstet shkollore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, konkretisht për Librin 2 të projektit të përbërë nga 6 fletore tematike, të cilat kanë dalë nga shtypi në maj të vitit 2012.

„LAPSH-i ‘Naim Frashëri’ bartës shumëvjeçar i mësimit të shqipes në Zvicër, ka shprehur shqetësimin lidhur me mosdërgimin me kohë të teksteve shkollore në diasporë, të cilat kanë dalë nga shtypi qysh në muajn maj 2012, për të filluar vitin shkollor 2012-2013“, tha Fejzullahi.

Ai thotë se Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës ka bërë punë të mirë në përgatitjen dhe botimin e teksteve për mërgatë. Mirëpo, sipas tij, shpërndarja dhe sjellja e tyre nga Ministria e Diasporës nuk ka qenë në nivel, dhe as tani nuk është.

Për sekretarin e LAPSH-it, nuk përjashtohet mundësia të dekurajohen fëmijët, të cilët janë në hamendje të vijojnë apo jo mësimin plotësues të shqipes.

Në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të nënshkruar nga Nuhi Gashi, përgjegjës për mësimin në diasporë, thuhet se libri i përbërë nga 6 fletore tematike ka dalë nga shtypi në maj të vitit 2012.

Mirëpo, vetëm një numër i vogël i mësuesve e kanë marrë atë personalisht gjatë qëndrimit në Kosovë.

„Dërgimin e librit deri në përfaqësitë diplomatike-konsullare (me përjashtim të Austrisë) do ta bëjë Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës. Mirëpo, meqë mjerisht këto procedura do të marrin një kohë të konsiderueshme, ju njoftoj se librin mund ta shkarkoni nga uebfaqja e MASHT-it të Kosovës, ku janë publikuar Libri 1, pastaj udhëzimet didaktike për librat 1 e 2, si dhe materiale të tjera: http://www.masht-gov.net/advCms/#id=1354, thotë Nuhi Gashi në përgjigjen e tij për mësimdhënësit në diasporë.

Por për LAPSH-in në Zvicër nuk janë fajtorë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për procedura që marrin kohë në dërgimin e teksteve shkollore në diasporë që, sipas tyre, janë të paarsyeshme dhe aspak të nevojshme.

„Disa mësimdhënës nga kantone të ndryshme të Zvicrës janë të shqetësuar me faktin se kanë filluar vitin e ri shkollor me shpresë se tekstet shkollore tashmë të botuara që në muajin maj do t`i kenë për punë. Por, ata u zhgënjyen sepse nuk po realizohen detyrat dhe përgjegjësitë e atyre që janë përgjegjës në MASHT për dërgimin e teksteve shkollore në kohën e duhur“, tha Fejzullahi.

Madje LAPSH-i është shprehur i gatshëm të organizojë shpërndarjen e teksteve shkollore nga Kosova në Zvicër.

„Bartjen e tyre nga Prishtina për në Zvicër mund ta marrë përsipër LAPSH-i ”Naim Frashëri” në Zvicër, me shpenzimet e veta. Pasi që koha është më e çmueshme dhe nuk kemi arsye t`i presim procedurat e ndërlikuara të MASHT-it që nga muaji maj 2012“, shprehet sekretari i LAPSH-it, Abas Fejzullahi.

Ndërkohë në Ministrinë e Arsimit të Kosovës bëjnë të ditur se Libri 3 për diasporën tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe do të dalë nga shtypi në muajin tetor 2012.

Nga ana tjetër, LAPSH-i ende nuk ka të dhëna sa nxënës kanë filluar këtë vit mësimin plotësues të shqipes në Zvicër.

“Të dhënat për këtë vitë shkollor nuk i kemi, sepse ato grumbullohen gjatë muajt shtator, pasi t`i dërgojnë të dhënat secili përfaqësues nga secili kanton, ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe”, thekson Fejzullahi.

Sido që të jetë, me tekste apo pa tekste shkollore, urimi nga ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli, nuk ka munguar për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit shqiptarë në diasporë për fillimin e vitit të ri shkollor 2012-2013.