Shkurt.ch

Nuk ka më hamburgerë me gjysmë çmimi për policët!

Punëtorët e McDonald`s-ve nuk kishin pritur ndonjë kundërshpërblim nga policët për zbritjen e bërë

Një aksion i vullnetit të mirë i restoranteve McDonald`s të Gjenevës, për t`u dhënë policëve hamburgerë me gjysmë çmimi, është shpallur i mbyllur.

Pasi që gazeta “Tribune de Genève “ kishte raportuar për këtë zbritje çmimi, përgjegjësit e restoranteve McDonald`s kishin vendosur që të kthenin çmimet aty ku ishin më parë. Një zëdhënëse e këtij rrjeti të restoranteve ka thënë për mediet zvicerane se ata nuk kishin pritur ndonjë kundërshpërblim nga policët për zbritjen e bërë.

Por, ajo ka thënë se në disa restorante është e zakonshme që policëve, zjarrfikësve dhe punëtorëve shëndetësorë t`u ofrohet ndonjë pije falas ose ndonjë zbritje çmimi.

Ndërkaq, Policia e Gjenevës, pas publikimit të artikullit, ka porositur policët se “marrja e shërbimeve materiale është e ndaluar”, ka thënë një zëdhënës i Policisë së Gjenevës.

Ai ka shtuar se lidhur me këtë çështje, do të hapet një hetim intern.