Integrimi

Një ndër katër emigrantë ndihet i diskriminuar

Fyerje, përjashtime, mundësi më të pakta. Një ndër katër emigrantë në Gjermani ndihet i diskriminuar në sistemin arsimor gjerman. Kjo rezulton nga një studim i ri. Çfarë duhet ndryshuar?

Një ndër katër nxënës apo studentë me sfond emigracioni ndjehen të trajtuar jo barabart në sistemin arsimor gjerman. Kjo del nga një studim i publikuar këto ditë nga Qendra Federale e Antidiskriminit (ADS).

Edhe nxënësit me aftësi të kufizuara dhe homoseksualët ankohen për diskriminim dhe fyerje, thuhet në raportin e ADS drejtuar parlamentit gjerman. Diskriminimi në arsim dhe punësim nuk është studiuar asnjëherë më gjerësisht se në këtë rast, thotë Qendra Federale e Antidiskriminimit.

Studimi i ri bën fjalë edhe për diskriminimin strukturor. Kur dy nxënës të shkollës fillore, njëri me dhe tjetri pa sfond migracioni, kanë të njëjtat nota, vetëm nxënësi pa sfond emigrimi merr një rekomandim për të shkuar në gjimnaz. Një vendim që mësuesit e shkollave fillore e marrin për të mbrojtur nxënësit e tyre nga dështimet, thotë një mësuese gjermane.

“Në shumë gjimnaze gjermane nxënësit janë të varur nga mbështetja e prindërve”, thotë mësuesja 44-vjeçare e shkollës fillore nga landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë, që nuk do ta japë emrin e saj të vërtetë.

Por, disa prindër emigrantë nuk mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, sepse ata nuk kanë as arsimin e duhur dhe as njohuritë e duhura gjuhësore.

“Në gjimnaze duhet të këtë më shumë ndihmë mësimore, në mënyrë që edhe fëmijëve nga familjet e emigrantëve t’u jepet një shans”, thotë mësimdhënësja gjermane.

Pasojat e diskriminimit janë fatale. Diskriminimi ndikon negativisht në rezultatet në shkollë, te suksesi dhe motivimi.

Por çfarë duhet bërë për të krijuar më shumë shanse të barabarta?

Christine Lüders kërkon zgjerimin e zyrës së ankesave. Edhe Sanem Kleff, koordinatore e rrjetit federal “Shkolla pa racizëm – shkolla me kurajo”, dëshiron që fëmijët e emigrantëve të mbështeten më shumë.

“Duhet të ekzistojë në shoqëri vullneti për integrimin e fëmijëve të emigrantëve“, thotë Sanem Kleff. “Pikërisht mungesa e kësaj ndjehet ende në Gjermani. Barrierat e gjuhës duhet të eliminohen që në fillim dhe të krijohet një shkollë që ta trajtojë krejtësisht ndryshe diversitetin kulturor. Këtu bëjnë pjesë edhe modele të tilla, si mësuesit me sfond emigrimi. E njëjta gjë vlen edhe për profesionin”, thotë Christine Lüders.

“Çdonjëri ka stereotipa në kokë dhe ato duhen parandaluar. Kjo është e mundur ndër të tjera me aplikime anonime”.

Në jetën e saj profesionale ajo ka vazhdimisht të bëjë me raste shumë konkrete diskriminimi. “Unë i këshilloj këta njerëz që t’u drejtohen medoemos zyrave të ankesave, apo agjencisë federale kundër diskriminimit”, tha Kleff.

“Nuk sjell asgjë, në qoftë se u imponon njerëzve rregulla nga lart”, thotë ajo. “Te njerëzit duhet të ndryshojë vetë diçka”, thekson Kleff.

Në universitet ajo ka përjetuar sesa të dobishme janë solidariteti dhe mirëkuptimi nga ana e studentëve të tjerë. Prandaj ajo shpreson që brezat e ardhshëm të gjejnë zgjidhje më të mira për shanset e barabarta. Por, deri atëherë duket se kanë përpara ende një rrugë të gjatë.