Feja

Në Zvicër kremtohet festa e Kurban Bajramit

Të martën besimtarët myslimanë në tërë Zvicrën kremtojnë festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të besimit Islam.

Me rastin e kësaj feste nga krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, të Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë vijnë mesazhe urimi, me shpresë që besimtarët të reflektojnë ndjenjën e humanitetit, solidaritetit e bamirësisë.

Në Zvicër namazi i Kurban Bajramit falet kryesisht nëpër salla sporti, të rezervuara pikërisht për këtë festë, për shkak të hapësirave të ngushta që i kanë xhamitë apo qendrat islame. Përveç organizimeve që bëjnë xhamitë nëpër kantone të ndryshme të Zvicrës, nuk shënohet ndonjë ceremoni kryesore e faljes së Kurban Bajramit. 

Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 8:15 deri në orën 8.25, varësiht prej kantonit ku jetoni.

Kantoni          Namazi i sabahut  Namazi i Bajramit
St.Gallen,Rorschach,Kreuzlingen,Wil 06.45 – 07.00 08.15
Cyrih, Winterthur, Luzern 06.45 – 07.00 08.18
Bernë, Biel, Solothurn  06.45 – 07.00 08.21
Delemont 06.45 – 07.00 08.23
Lozanë, Yverdon, Sion,Visp 06.45 – 07.00 08.25
Gjenevë     06.45 – 07.00 08.27

Me Kurban Bajramin kurorëzohet haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia.

Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Mesazh urimi për Festën e Kurban Bajramit i Këshillit të imamëve shqiptarë në Zvicër

“Kemi kënaqësi të veçantë që me rastin e festës së Kurbanit të gjithë besimtarëve myslimanë që jetojnë në Zvicër t’ua urojmë përzemërsisht këtë festë, me dëshirën që në këto ditë feste ta flijojmë egoizmin, urrejtjen, xhelozinë, gënjeshtrën, shpifjen, dyshimin dhe mosbesimin e ndërsjellë, me qëllim që t’i afrohemi njëri-tjetrit në bashkësinë e besimit e të dashurisë”, thuhet ndër të tjera në këtë mesazh të Këshillit të imamëve shqiptarë në Zvicër.