Integrimi

Në Luksemburg, më së shumti azilkërkues nga Kosova

Gjatë periudhës janar-qershor në këtë vend kane kërkuar azil 483 veta. Shumica janë nga Ballkani ndërsa 63 vetëm nga Kosova

Numri i azilkërkuesve në Luksemburg , krahasuar me atë të vendeve tjera të Evropës perëndimore është i vogël. Por marrë parasysh numrin e banorëve, ky vend i vogël i Beneluksit ka proporcionalisht shumë refugjatë. Dhe, gjatë muajit qershor ky numër ka shënuar rritje.

89 të huaj kanë kërkuar azil gjatë qershorit në Luksemburg, që, në krahasim me majin, kur ishin 78, përbën një rritje më të madhe se 10 për qind. Megjithatë, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin bërë 181kërkesa azili, këtë qershor kemi një përgjysmim, njofton  Tageblatt.lu.

Ndërsa gjatë gjithë periudhës janar-qershor në këtë vend kane kërkuar azil 483 veta, shumica e të cilëve  janë nga Ballkani.

Sikur për muajin qershor ashtu edhe për gjithë gjashtëmujorin është karakteristike se më së shumti azilkërkues kanë ardhur nga Kosova. Nga 89 sish, 23 janë kosovarë, ndërsa nga 483 personat azilkërkues të regjistruar gjatë gjashtë muajve, kosovarë kanë qenë 63. Pas Kosovës vjen në radhë Bosnja  me 56 veta gjithsej, gjegjësisht 13 veta gjatë qershorit dhe  Shqipëria me 43, gjegjësisht 11 e kështu me radhë.  

Gjatë muajit qershor 18 personave u është njohur statusi i refugjatit ndërsa 50 të tjerëve u është hedhur poshtë kërkesa për këtë status.