Muzikë

Në Eurovizion-in e sivjetshëm do të jetë edhe Madonna

Pop-ylli Madonna, do të paraqitet si mysafire në Eurovizion që sivjet mbahet në Izrael.

Shteti i Izraelit është përzgjedhur ta organizojë këtë festival sivjet, pasi përfaqësuesja e tyre Netta Barzilai, e fitoi garën vitin e kaluar në Portugali me këngën e saj “Toy”, përcjellë albinfo.ch.
Kjo pjesëmarrje po ashtu i dhuroi asaj famë ndërkombëtare. Dhe siç e do tradita, shteti fitues e merr të drejtën ta organizojë festivalin në vitin vijues.

Sivjet, Shqipëria në këtë garë përfaqësohet nga këngëtarja Jonida Maliqi dhe kënga e saj “Ktheju tokës”.

Te publiku shqiptar, kënga u prit me kritika të përziera, derisa promovimi i Jonidës në mediat evropiane duket se ka ecur me sukses.

Publiku evropian po reagon mirë ndaj interpretimit të Jonidës, gjë që e ka bërë këngëtaren dhe ekipin e saj të kenë shpresa për një renditje të mirë në këtë garë sivjet, e pse jo edhe të triumfojnë.