Lajme

Mjeku i njohur shqiptar, thirrje kolegëve të vet: Kujdes me deklaratat!

Mos bini në nivelin e analistëve të famshëm nga „mbretëria e lugjeve të verdha“!

Radiologu i njohur shqiptar, i cili vepron në Zvicër, Habib Jakupi, u ka bërë thirrje publike të gjithë atyre që deklarohen rreth situatës me Covid-19 që të jenē të kujdesshëm dhe të saktë në deklaratat e tyre.

“Të gjithë ata njerëz qëllimmirë e të edukuar që deklarohen publikisht për çështje të ndryshme në përgjithësi dhe për pandeminë Covid-19 në veçanti, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të saktë në deklaratat e tyre! Nëse permendin ndonjë shifër, numër apo përqindje, duhet të tregojnë burimin e studimit apo hulumtimit konkret! Për ndryshe, dalin joserioz dhe bijnë në nivelin e analistëve të famshëm nga „mbretëria e lugjeve të verdha“!!!”, ka shkruar Jakupi.

Më tutje ai ka shpjeguar se ky reagim i tij vjen ndaj disa deklarimeve, siç ka thënë, pa evidencë, për prekje më të madhe të pjesëtarëve të një kombi apo hapësire gjeografike me Covid-19.

Por kush është Habib Jakupi?

Ai është një radiolog i njohur dhe i suksesshëm, i cili karrierën e tij e nisi në Gjermani, ku edhe kreu specializimin në radiologji për të hapur më pas spitalin e tij privat atje.

Pas përfundimit të luftës ai u kthye në Kosovë për të hapur fillimisht një ordinancë, e cila më vonë u shndërrua në spital.

“Euromed” ishte adresë e mijëra pacientëve për përcaktimin e diagnozës përmes radiologjisë.

Ndërsa pas marrjes së licencës për punë private në kantonin e Zürich-ut në vitin 2019, u bë e mundur hapja e ordinancës së parë radiologjike e një mjeku me prejardhje nga hapësirat shqiptare, në Zvicër.