Shkurt.ch
Mjegull rreth regjistrimit të diasporës së Maqedonisë
Diaspora shqiptare shpreh shqetësimin për mossensibilizimin me kohë të këtij procesi mjaft të rëndësishëm për vendin
Pakë ditë para fillimit të procesit të regjistrimit në Maqedoni, diaspora edhe ashtu e painformuar është hutuar edhe më shumë me informatat kontradiktore që vijnë nga vendlindja rreth të drejtës së tyre për t’u regjistruar.
Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Regjistrim në Maqedoni, Vesna Janevska, në një prononcim për mediet në Shkup ka thënë se në procesin e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet nga 1 deri më 15 tetor nuk do të përfshihen qytetarët që kanë qëndrim të përkohshëm në ndonjë shtet tjetër, edhe pse ata mund të vijnë në vendlindje dy ose tri herë në vit.
“Ata të cilët kanë dalë dhe nuk jetojnë në vend më shumë se 12 muaj nuk do të regjistrohen, sepse ata do të regjistrohen në vendet në të cilat jetojnë. Nuk duhet të krijohet konfuzion në mesin e popullatës. Nëse një person i caktuar ka ardhur në qershor për pushime në vendin e tij, ndërkaq jeton, të themi, në Gjermani, ai nuk do të regjistrohet”, thotë ajo, duke sqaruar se ai qytetar do të regjistrohet në Gjermani, pa marrë parasysh se çdo vit vjen një herë, dy herë apo tri herë për ta vizituar familjen apo për pushime në vend.
Kjo deklaratë ka bërë të komplikohet edhe më shumë procesi i regjistrimit në Maqedoni, ngase me një prononcim të tillë nuk pajtohet anëtari shqiptar i Komisionit, Milaim Ademi, i cili thotë se me ligj parashihet regjistrimi i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh vendin se ku gjenden në momentin e regjistrimit.
Ademi ka thënë për mediet në Shkup se një deklaratë e tillë është në kundërshtim me ligjin, sipas të cilit kanë të drejtë regjistrimi të gjithë qytetarët që nuk gjenden në Maqedoni. Regjistrimin e tyre mund ta bëjnë anëtarët e tjerë të familjes, duke dëshmuar për familjarët e tyre se janë shtetas të Maqedonisë. Ademi deklaron se të gjithë qytetarët të cilët brenda një viti kanë hyrë në Maqedoni mund të regjistrohen.
Nga ana tjetër, diaspora shqiptare shpreh shqetësimin për mossenzibilizimin me kohë për këtë proces mjaft të rëndësishëm për vendin.
Shani Zekolli, sekretar sindikal në Gjenevë, si dhe veprimtar i dalluar në diasporë me vite të tëra, përcjell shqetësimin e shumë bashkatdhetarëve për këtë lënie pas dore.
“Nga kontaktet që kam realizuar me shokë dhe me bashkatdhetarë, mund të konstatoj se nuk është ndërmarrë asnjë hap drejt sensibilizimit të shqiptarëve nga Maqedonia lidhur me regjistrimin e popullsisë”, ka thënë për Albinfo.ch Shani Zekolli.
Sipas tij, kushtëzimit 12-mujor i qëndrimit është një tentim për të dekurajuar që shqiptarët të mos regjistrohen me vetëdëshirë.
Mërgimtari Shani Zekolli është në një vijë me partitë opozitare në Maqedoni, të cilët kanë kërkuar që regjistrimi të shtyhet për vitin tjetër.
“Më duhet të ripërsëris një qëndrim disa politikanëve se koha më e përshtatshme për regjistrim janë muajt korrik dhe gusht. Nuk janë mërgimtarët që mund të vendosin të vijnë sa herë kur të dëshirojnë. Besoj se këtë edhe në Maqedoni e dinë, sikurse e dinë edhe shumë perona publikisht të ekspozuar, thjesht kanë jetuar dhe kanë punuar në mërgim”, deklaron Zekolli.
“Druaj se shqiptarët në Maqedoni duhet të numërohen sipas nevojës së balancimit të interpretuar me një përqindje që nuk rezulton me realitet. Siç na ndodhi me përfaqësimin me 3 deputetë nga diaspora, por në favor të VMRO-së”, nënvizon Shani Zekolli, me vendbanim në Gjenevë.
Sipas Ligjit për regjistrim, të drejtën për t’ u përfshirë në regjistrim e kanë të gjithë shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit më pak se një vit dhe se ata mund të regjistrohen nga ana e të afërmve të tyre në vendlindje. Ligji parasheh që familjet që jetojnë në diasporë duhet t’u ofrojnë të afërmve të tyre së paku një dokument personal (letërnjoftim, certifikata, shtetësi, dokumente të tjera) për t’u regjistruar.
Edhe Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropian (OBRIE) gjithashtu vlerëson nevojën për numërimin e diasporës në regjistrimin e 2011-ës.
Shoqatat joqeveritare në Maqedoni kanë kërkuar që mediat të sensibilizojnë diasporën që të jetë më aktive në këtë proces dhe të organizohet për t’u përfshirë në numërimin e popullsisë në Maqedoni.
Regjistrimi i fundit i popullsisë, i realizuar në vitin 2002, nxori shqiptarët me 25,17 për qind në Maqedoni, ndërsa maqedonasit me 64 për qind.
Të tjera nga Shkurt.ch
E-Diaspora
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër (24 nëntor) takimin me shqiptarët në Londër,...
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor