E-Diaspora

Misioni i artit pamor mbetet i shenjtë

Bashkimi është nga Theranda e Kosovës, i lindur në Prizren (1970 ). Diplomoi në drejtimin e teknologjisë.
Mërgoi që nga viti 1992; në  fillim në Austri, në Zvicër jeton që nga viti 1996.

Baba i dy fëmijëve, Iliriana dhe Drini… Artist i shumë veprave të vlerësuara artistike, e sidomos në artin pamor – pikturë.

albinfo.ch: Është vërtet kënaqësi t’i lexosh të gjitha ato fjalë të mira që i kushtohen talentit tuaj nga shumë gjuhë të botës! Si ndjeheni ju me adhurimin që i bëhet krijimtarisë suaj? Më i motivuar?

Bashkim Gashi: Paraprakisht dëshiroj t’ju falënderoj juve albainfo.ch për ftesën, kohën dhe hapësirën që gjeni për prezantimin tim si krijues në fushën e artit. Pa dyshim që është një kënaqësi e veçantë, kur në adresën time arrijnë përshëndetje, përgëzime, shprehje të entuziazmit, (por dhe kritika, natyrisht, nga artistë të mirëfilltë) nga miq, dashamirë e adhurues të artit pamor, gjithandej rruzullit tokësor! Dhe pa dyshim që, të gjitha këto shërbejnë si motivim, stimulim dhe vullnetdhënie për krijime të mëtejme sa më cilësore…

albinfo.ch: Kur filluat me pikturë dhe kur me poezi? Cila ju flen më shumë në shpirt, apo janë të pandashme?

Bashkim Gashi: Kohë për kujtime plot nostalgji…Dashuria për poezinë pushton qenien time që në klasët e para të shkollës fillore. Asokohe i mësonim për t’i recituar më pastaj vargjet e Naimit, Asdrenit, Çajupit, Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Fan Nolit e shumë shkrimtarëve të tjerë, kolosë të letërsisë sonë! Pos që lexoja librat shkollorë, kënaqësi e veçantë ishte dhe përzgjedhja e librave në bibliotekën private, të dajës sim, Hamdi Elshanit, që ishte shumë e pasur me botime nga më të ndryshmet. Në këtë kohë lind dhe frymëzimi për thurrjen e vargjeve të para… Pasioni për artin pamor, gjithashtu fillimet i ka në këtë kohë. Ora e artit figurativ pritej gjithmonë me padurim. Shprehja, përmes ngjyrave, ishte po ashtu një kënaqësi e veçantë që edhe sot e kësaj dite nuk ka pushur… I magjepsur me pikturat e Da Vinçit, Mikelangjelos, Cloude Monnet, Paul Cezanne, van Gogh, Salvador Dali etj., por dhe
piktorëve shqiptarë, si, Ibrahim Kodra, Kolë Idromeno e shumë të tjerë, fillova punimet e para në fushën e artit…

albinfo.ch: Piktura lind nga dashuria dhe shprehet me brushë përmes harmonisë së ngjyrave. Ju, si përzgjedheni ngjyrat? Ato janë të mrekullueshme në pikturat tuaja.

Bashkim Gashi: Ju faleminderit për kompliment. Përzgjedhja e ngjyrave varet zakonisht nga ideja dhe motivi që dua ta realizoj, por jo dhe rrallëherë është përzgjedhje intuitive…

albinfo.ch: Arti juaj ka në mision të mirën, të bukurën, të përkryerën. Është art që rrezaton paqe, në sytë dhe mendjen dhe shpirtin e secilit vizitor. Si ja arrini të transmetoni kaq bukur këtë mesazh të shenjtë?

Bashkim Gashi: Arti është një nga format e shprehjes së ndjenjave apo mendimeve që e preokupojnë krijuesin! Është fryt i krijuesit, rrugëton përmes procesit të kreativitetit dhe pastaj shfaqet si domosdoshmëri për transmetim! Arti është urëlidhës miqësie gjithandej rruzullit tokësor dhe si i tillë është formë e përkryer e komunikimit, sepse i kalon të gjitha barrierat gjuhësore, kohore dhe hapësinore…

albinfo.ch: Veprimtaria juaj është një dritë në errësirë, sidomos për diasporën shqiptare në Zvicër. A ndjeni lodhje në këtë përkushtim apo është dashuri në sfondin tuaj artistik?
Bashkim Gashi: Përkundrazi, ndjehem shumë i relaksuar gjatë krijimit! Është diçka që më mundëson të arrij barazpeshën… Apo siç do shprehej Pikasso: “Arti pastron pluhurin e përditshmërisë nga shpirti…”

albinfo.ch: Natyra zë vend të rëndësishëm në krijimtarinë tuaj? Cilën stinë e preferoni më shumë për pikturë?

Bashkim Gashi: Jo vetëm te unë, por jam i bindur që natyra është frymëzuese primare në krijimtarinë e secilit krijues…. Nuk bëj ndonjë dallim në stinë, sepse mendoj që secila i ka karakteristikat, bukurinë dhe elegancën e saj…

albinfo.ch: Jeni shumë i dhënë pas artit? Shprehet qëndrimi juaj ndaj jetës në veprat tuaja?

Bashkim Gashi: E ceka dhe më parë që artin e kam si ekuilibër përballë jetës dhe sfidave të saj dhe hapësirë ku relaksohem dhe njëkohësisht frymëzohem për ide të reja… Natyrisht që në krijimtarinë time reflekton në një formë apo tjetër dhe qëndrimi im përballë jetës! Por, jo gjithmonë! Mendoj që arti e arrin përsosshmërinë absolute vetëm atëherë kur të frymojë lirshëm, pra liruar nga çfarëdo lloj përkufizimi apo përcaktimi, qoftë personal apo shoqëror!

albinfo.ch: Në pikturat tuaja janë të kombinuara ajo klasike dhe moderne. Dikur thuhej që piktorët janë profetë. Si e shpjegoni ju këtë talent për të pikturuar?

Bashkim Gashi: Në fillim të kësaj interviste ju shumë bukur e theksuat që artistët janë Ambasadorë, përfaqësues të një populli, të një kulture, të një kohe… Vetë ky fakt tregon për rëndësinë që kanë, por dhe njëkohësisht, përgjegjësinë që bartin artistët! Talenti, ndoshta është i lidhur ngushtë me pasionin që kam për pikturën. Mendoj që ky kombinim është i nevojshëm apo i domosdoshëm për të arritur rezultate në praktikë. Pastaj koha, përkushtimi, hapësira për të krijuar e vepruar etj. janë faktorë që kanë po ashtu ndikim…

albinfo.ch: Jeni çdo ditë në atelienë tuaj?

Bashkim Gashi:  Atelieja, vendi ku punoj, është bërë disi pjesë përbërëse e jetës, si p.sh. dhoma e ditës apo e pritjes! Kryesisht punoj jashtë në tarracën time….

albinfo.ch:  Ju po leni mbresa e gjurmë me krijimtarinë tuaj. Sa jeni të angazhuar nëpër ekspozita dhe a jeni ftuar deri tani nga ndonjë qendër kulturore shqiptare?

Bashkim Gashi: Ndonëse kjo është dëshirë e kamotshme, deri më tani nuk kam pasur ndonjë ekspozitë shkaku i ca obligimeve të tjera. Kryesisht e kam përdorur internetin, rrjetet sociale… Ftesa nga ndonjë qendër kulturore nuk kam pasur, por kjo është më shumë si rezultat i mungesës së kërkuari kontakt nga ana ime. Siç thashë më parë, isha i angazhuar pas obligimeve familjare. Besoj që tani e tutje, (falë dhe disa rrethanave private që kanë ndryshuar) do të ketë dhe ftesa të tilla dhe natyrisht që unë me plot dëshirë do gjej kohë dhe do u përgjigjem…

albinfo.ch: Një pikturë e mirë sjell dritë, andrenalinë tek shikuesi. Ju e keni realizuar këtë në veprimtarinë tuaj. Ndjeheni i lumtur që dhuroni lumturi?

Bashkim Gashi:  Secili krijim imi, kur pritet mirë, me ngrohtësi dhe dashamirësi nga pala tjetër është ndjenjë lumturie! Këtë ndjenjë, jam i bindur e kanë të gjithë dhe jo vetëm në sferat e artit. Natyrisht dhe kritikat e mirëfillta janë gjithmonë të mirëseardhura, sepse janë një stimulim apo shtytje e mëtejme për të krijuar vlera dhe cilësi…

albinfo.ch: Pikturat flasin një gjuhë, gjuhën e bukurisë universale. Ju e shprehni përmes vijës, intuitës figurative dhe ngjyrave. Kjo është gjuhë e artit pamor, po ju sa gjuhë i flisni jashtë ateliesë?

Bashkim Gashi: Përpos gjuhës amtare, flas rrjedhshëm gjuhën gjermane dhe gjuhën angleze deri diku…
albinfo.ch:  Arti për artistin është më personale se çdo gjë tjetër. E keni studiuar artin?

Bashkim Gashi: Përveç dëshirës për të studiuar letërsinë dhe artin pamor, kisha dhe pasion për astronominë. Dëshira, që fatkeqësisht nuk arrita t’i realizoj shkaku i gjendjës së rëndë ekonomike që kishte kapluar Kosovën! Ishin vitet e 80-ta! Pastaj, në fillimvitet e 90-ta, si shumica e bashkatdhetarëve tanë, mora rrugën e mërgimit…

albinfo.ch: Cilin adhuroni ju, nga piktorët e mëdhenj që i kanë kontribuar botës?

Bashkim Gashi: Mendoj që secili nga piktorët e famshëm, në një formë apo tjetër, i kanë kontribuar ngritjës së vetëdijes kulturore dhe në përgjithësi, zhvillimit dhe civilizimit njerëzor! Ndoshta, nga të gjithë këta kolosë do e veçoja Leonardo da Vinçin, i cili pos që ishte piktor, ishte dhe arkitekt, skulptor, anatom, filozof etj… Ishte i shumanshëm, ndaj dhe sot e kësaj dite konsiderohet si gjeniu më i madh i të gjitha kohëve…
albinfo.ch: Alfred de Musset ka thënë; Artistët e mëdhenj nuk kanë atdhe, ata u takojnë të gjithëve! Si e shpjegoni ju këtë?

Bashkim Gashi: Alfred de Musset, pos që ishte dramaturg dhe novelist, ishte dhe dashamir i madh i artit. Thënia e tij është plotësisht e drejtë…

albinfo.ch: Artisti është biri më i mirë i një populli. Ne ju dëshirojmë shëndet dhe fat në krijimtarinë tuaj të mbarë. Ju falenderojmë shumë për intervistën dhe faleminderit që me punën tuaj na bëni të ndjehemi shumë krenarë.

Bashkim Gashi:  Ju faleminderit. Kënaqësia ishte imja…