Tematike
Dr. Fatime Imeri: Kur dhe si duhet të bëhet testi serologjik për COVID-19?
Dr. Fatime Imeri është eksperte shqiptare e mikrobiologjisë nga Cyrihu. Ajo në këtë artikull shpjegon se kur dhe si bëhet testi serologjik
Testet serologjike
Testi serologjik për COVID-19 detekton antitrupat në gjak kundër virusit SARS-CoV-2. Ai rezulton pozitiv përafërsisht 2 javë pas shfaqjes së simptomeve të para të sëmundjes.
Pak kohë pas infeksionit, qelizat e sistemit imunitar fillojnë të prodhojnë antitrupa (IgG, IgM dhe IgA) të cilët qarkullojnë në gjak me qëllim që ta eliminojnë virusin nga organizmi. Detektimi i tyre me teste komerciale serologjike bëhet vetëm atëherë kur sasia e tyre në gjak arrin një nivel të caktuar.
Në cilat raste rekomandohet testi serologjik
Përveç për studime epidemiologjike dmth për të përcaktuar përqindjen e popullsisë që ka qenë e infektuar me virusin, testi serologjik bëhet edhe në këto raste:
- Te personat që kanë pasur simptome të COVID-19 dhe kanë pasur rezultat negativ në RT-PCR ose nuk e kanë bër fare testin PCR
- Te personat që kanë simptome dhe klinikë të pazakonshme (marramendje, gjakderdhje në tru, vaskulit, sindromin Kawasaki). Këto simptome dhe sëmundje paraqiten pasi të ketë kaluar faza fillestare e COVID-19, atëherë kur testi RT-PCR shpesh del negativ. Sëmundjet e tilla nuk i shkakton drejtpërdrejt virusi, por antitrupat e prodhuar kundër virusit, të cilët sulmojnë qelizat e organizmit.
- Te personat me imunitet të dobët (pas transplantimeve ose gjatë kemoterapisë te sëmundjet kanceroze)
Llojet e testeve serologjike dhe përvoja ime me to
Numri i testeve serologjike komerciale për COVID-19 është shumë i madh, poashtu edhe numri i testeve të shpejta me procedurë të testimit që zgjatë mesatarisht 15 minuta. Saktësia e testeve dallon shumë, sidomos e atyre të shpejta dhe shumica e tyre nuk kanë kualitet të mjaftueshëm.
Çmimi që pacienti e paguan në Zvicër për testin serologjik është 25 CHF përafërsisht 23 Euro (deri më 14.09.2020 ka qenë 39 CHF/36 Euro).
Nga përvoja me 4 teste komerciale, dhe pas mijëra testimeve serologjike në laboratorin tim në Cyrih konkludoj që:
- Nëse pacienti ka simptome akute të COVID-19, testi serologjik do të rezultojë negativ.
- Nuk ka ende test serologjik të sigurtë, që do të bënte detektimin e antitrupave në fazën fillestare apo akute të COVID-19 (as të IgM dhe IgA, të cilët prodhohen në fillim të sëmundjes).
- Testi në gjak rezulton pozitiv mesatarisht 2-3 javë pas sëmundjes COVID-19.
- Shkalla e sëmundjes nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në kohën e paraqitjes së antitrupave, dmth te një person që ka simptome të rënda antitrupat nuk prodhohen më herët. Edhe te ata pacientë, testi serologjik në fillim rezulton negativ.
- Te shumica e pacientëve me simptome të rënda të COVID-19, sasia e antitrupave të detektuar është shumë e lartë.
- Në raste tepër të rralla, testi mund të dalë negativ edhe 4 javë pas infeksionit. Rekomandohet që testi të përsëritet 3-4 javë më vonë.
- Testi pozitiv nuk ofron siguri të 100%-të që pacienti e ka kaluar sëmundjen dhe nuk mund të infektojë të tjerët. Kur sëmundja zgjatë me javë të tëra, personat e tillë kanë antitrupa (testi serologjik pozitiv), por njëkohësisht e kanë ende edhe virusin e gjallë në organizëm (RT-PCR gjithashtu pozitiv). Dmth në këtë rast, personi është ende infektues për të tjerët.
- Disa javë pas shërimit nga COVID-19, testi serologjik është pozitiv vetëm për antitrupat IgG, sepse ato prodhohen një kohë më të gjatë se IgA dhe IgM.
- Nëse saktësia e testit është e ulët, rezultati mund të dalë pozitiv edhe nëse një person nuk ka qenë kurrë i infektuar me virusin e COVID-19. Kualiteti i testit është shumë i rëndësishëm!
Interpretimi i rezultatit
Rezultati pozitiv në testin serologjik për COVID-19 do të thotë që një individ ka qenë i infektuar më herët me virusin. Ende nuk dihet saktë, për sa muaj apo vite pas sëmundjes ai test mbetet pozitiv. Po ashtu nuk është e qartë për sa kohë ky individ është i mbrojtur nga një infeksion i sërishëm me COVID-19. Mendohet që edhe limfocitet T mund të kenë rol në imunitetin kundër COVID-19, por për këto nuk ka teste laboratorike.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës