Shkurt.ch

Merkel, politikania më e popullarizuar në Gjermani

Këtë e tregon një sondazh i opinionit publik nga Instituti për Hulumtime "Fors", të cilin e ka publikuar sot revista "Stern"

Kancelarja gjermane Angela Merkel, pavarësisht problemeve të shumta me koalicionin, dhe masat që miratoi për të ndihmuar Greqinë, në mesin e gjermanëve është politikania më e popullarizuar se kurrë më parë.

Këtë e tregon një sondazh i opinionit publik  nga Instituti për Hulumtime “Fors”, të cilin e ka publikuar sot  revista “Stern” .

Sipas anketës, Merkel, në shkallën e besimit prej 0 deri në 100 ka marrë 64 pikë, që është më së shumti prej formimit koalicionit demokristiano-liberal në shtator të vitit 2009.

Kështu ajo ka tetë pikë më shumë se dy politikanët më të popullarizuar të Partisë Social Demokratike të opozitës , Peer Steinbrück dhe Frank-Walter Steinmeier, të cilët fituan 56 pikë.

Partnerët e saj të koalicionit, liberalet,  ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle dhe zëvendës kancelari Philip Resler, si në sondazhet e mëparshme, janë në fund të listës me 31 pikë të fituara.

Përveç Merkelit, edhe subjekti politik i saj nuk qëndron keq. Unioni Demokristian (CDU)  nëse do të organizohen tash zgjedhjet do të fitojë 38 për qind të votave, ndërsa partnerët e koalicionit, liberalët mund të mbështeten vetëm me tre për qind, që do të thotë se partia mund të mbetet jashtë parlamentit.

“SDP” do të merrte 26 për qind të votave, një përqindje më shumë se në sondazhin e mëparshëm, ndërsa të  gjelbrit e opozitës do të kenë 14 për qind të  besimin e votuesve.