Kosova

Mediumi zviceran pas përfundimit të procesit të regjistrimit: Popullsia e Kosovës po tkurret

Ditën e premte në Kosovë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë dhe brenda një muaji e gjysmë pritet që autoritetet t’i publikojnë rezultatet preliminare.

Në bazë të disa të dhënave, të cilat janë raportuar tashmë dihet se numri i banorëve rezidentë në Kosovë pritet të jetë diku rreth 1.5 milionë banorë, apo rreth 300 mijë më pak se regjistrimi i fundit i popullsisë i vitit 2011.

Kësaj dukurie, mediumi zviceran “Le Matin” i ka kushtuar një artikull me titull “Popullsia e Kosovës po zvogëlohet, tregojnë rezultatet paraprake”, transmeton albinfo.ch.

“Popullsia e Kosovës ka rënë nga 1.8 në 1.5 milionë njerëz në më shumë se një dekadë, sipas rezultateve preliminare të regjistrimit që përfundoi të premten, njoftoi të shtunën ASK-ja”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Sipas këtij teksti, pavarësisht se procesi hasi në vështirësi, sidomos në zonat e banuara me serbë në pjesën veriore të Kosovës, “procesi u konsiderua i suksesshëm”.

Tutje thuhet se tensioni është rritur kohët e fundit në vend midis dy komuniteteve, veçanërisht për shkak të zbatimit të rregullores së re të BQK-së, sipas së cilës euro-ja është valuta e vetme legjitime në Kosovë, duke ndaluar efektivisht dinarin serb. Si rrjedhojë, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka nxitur përkrahësit e saj që ta bojkotojnë regjistrimin.