Kosova

Mediat botërore shkruajnë për zgjedhjen e Kurtit kryeministër i Kosovës

Albin Kurti është zgjedhur për herë të dytë kryeministër i Kosovës të hënën, transmeton albinfo.ch.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë besimin e 67 deputetëve të Kuvendit, ndërsa kundër kanë votuar 30 deputetë.

Tashmë mediat botërore kanë raportuar rreth krijimit të institucioneve të reja në vendin tonë.

“Parlamenti i Kosovës mbështet Albin Kurtin si kryeministër të ri”, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Parlamenti i ri i Kosovës zgjedh qeverinë e re”, raporton gazeta amerikane newyorktimes.

Mediat zvicerane kanë raportuar se “Albin Kurti formon qeverinë e re të Kosovës”.

Agjencia proqeveritare turke, Anadolu Agency, shkruan se Albin Kurti është zgjedhur për herë të dytë kryeministër i Kosovës.

“Albin Kurti – nga Che Guevara i Kosovës tek ri-Kryeministri i Kosovës”, shkruan mediumi slloven sta.

Mediumi arab, Aljazeera raporton se “Albin Kurti është kryeministri i ri i Kosovës”. Edhe mediat spanjolle kanë shkruar se “kandidati i krahut të majtë, Albin Kurti, sërish është kryeministër i Kosovës”.

Nga ana tjetër, edhe media gjermanofone kanë shkruar për Albin Kurtin se ai nuk do të jetë partner komod për europianët.

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” në analizë të saj të mërkurën (24.03) me titullin “Shpresëdhënësi i Kosovës merr detyrën” shkruan, se gati në të njëjtën ditë pas rrëzimit të qeverisë së parë të Albin Kurtit, ai rizgjidhet kryeministër i Kosovës me një shumicë të ndjeshme votash dhe analizon sfidat e qeverisë së ardhshme. “Në një kohë që Kurtit që shihet i pakorruptueshëm i besohet progresi në luftën kundër korrupsionit, arritja e objektivave sociale për shkak të mjeteve të kufizuara do të jetë më e vështirë. Një ndër sfidat më të mëdha të kryetarit të ri të qeverisë është sjellja në realitet e pritshmërive të mëdha të përkrahësve të tij. Pandemia e vështirëson këtë detyrë më shumë. Kosova ende nuk ka marrë asnjë dozë vaksine”.

Neue Zürcher Zeitung nuk i kushton vetëm vëmendje motos së Albin Kurtit, me të cilën ai zhvilloi edhe fushatën zgjedhore: “Punë dhe drejtësi”, por edhe konfliktit me Serbinë. Kurti e ka deklaruar, se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve, në qoftë se Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe krimet e kryera. Por “Serbia nën presidentin Vuçiq është larg të dyja këtyre hapave. Vuçiq së fundmi publikoi në Instagram një hartë të Kosovës me ngjyrat e flamurit serb. BE dhe SHBA, të cilat pas ndryshimit të pushtetit në Uashington sërish zhvillojnë një politikë të përbashkët për Kosovën, kërkojnë rifillimin e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës”, shkruan NZZ.

Edhe gazeta “Süddeutsche Zeitung” e komenton rizgjedhjen e Albin Kurtit si kryeministër i qeverisë së Kosovës. “Në Kosovë aktualisht po kryhet një transformim i dyfishtë. Nga njëra anë merr fund përfundimisht dominanca politike e veteranëve të UÇK-së, luftëtarëve të dikurshëm të luftës për çlirimin nga Serbia në vitet 90-të. […]Mandati i parë i Kurtit zgjati vetëm 51 ditë, pastaj ai u rrëzua me ndikimin masiv të qeverisë së udhëhequr atëherë nga Donald Trump. Edhe në këtë kuptim rizgjedhja e Kurtit shënon kthesë: Ajo simbolizon fundin e një faze jologjike destruktive të politikës amerikane në Ballkan. Nën presidentin Joe Bideni, një njohës i rajonit dhe grackave të tij nuk priten ato ndërhyrje si nën Trumpin.[…]Për europianët Kurti nuk do të jetë një partner komod. Por ai është dikush që gëzon mbështetje të madhe në popullsinë e re të Kosovës”.

Radioja e njohur gjermane “Deutschlandfunk Kultur” zgjedhjen e Albin Kurtit e shikon si ndryshim gjeneratash në Kosovë. Albin Kurti shihet si shpresa e një gjenerate të re dhe premton punë dhe drejtësi. “Tani varet nga ai, të çojë deri në fund ndryshimin e gjeneratave, që ai e kërkon prej 20 vjetësh. Ndoshta Kurti me kursin e tij të qartë ka shanse më të mira të negociojë me sukses me qeverinë e Serbisë, se elitat e vjetra. Por ai duhet edhe të provojë, se në post është i pakorruptueshëm dhe parimor, dhe që e çon me vetëmohim Kosovën drejt të ardhmes. Sfida është e jashtëzakonshme”. /Albinfo.ch