Lajme

Me çmimin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” nderohet edhe Ajet Tahiri

Në spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” i mbajtur të shtunën në Shkup, me çmimin për kontributin e dhënë për humanizëm, është nderuar edhe afaristi shqiptar nga Austria, Ajet Tahiri.

Ajet Tahiri është nderuar për humanizmin e treguar ndër vite, por asnjëherë pa e përmendur, qoftë as me njerëzit që i rrinë pranë.

Për albinfo.at, ai ka thënë se është i nderuar që ka marr këtë çmim. “Unë dua të citoj vetëm një thënie nga Nënë Tereza e cila thotë: ‘Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mundëm të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe’. Prandaj, nuk ka rëndësi se sa të mëdha janë gjërat që i bëjmë për humanizëm në jetën tonë, e rëndësishme është që ato t’i bëjmë më mundësitë tona dhe me plot dashuri”.

Ajet Tahiri është nga Novolani, komuna e Vushtrisë, ndërkohë për shkak të përndjekjes nga regjimi serb, si student i viteve 90-ta, u detyrua të shpërngulet fillimisht në Munih të Gjermanisë, e pas disa vitesh për t’u vendosur në Innsbruck të Austrisë, aty ku edhe sot jeton dhe vepron.

Ai, prej vitesh ka ngritur kompaninë e tij “AT Mobilfunk GmbH” në Innsbrcuk të Austrisë e cila ka klientë kredibil austriakë dhe gjermanë. Kompania merret kryesisht me tekniken e komunikacionit mobil, pa lënë anash edhe segmentin e Elektroteknikës.

Përpos anës biznesore dhe humane, Ajeti shquhet si mbështetës i aktiviteteve shqiptare në Austri, ndërkohë është edhe kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri – dega e Tirolit, raporton albinfo.at

 

Spektakli “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” ka vlerësuar humanistë filantropë të suksesshëm në jetën e tyre të cilët kanë bërë vepra të mëdha humanitare.

Ky manifestim u mbajt për herë të parë në Shkup, mes një bashkëpunimi të “Guga Production” “Tv Klan Plus” e “Klan Macedonia”.

Ndër personalitetet që u nderuan me këtë çmim ishin edhe: Fehmi Fetahi, afarist i suksesshëm në Zvicër (Fetaxid Ag), në Kosovë  (Vali Ranch, Resort & Kongres Center), si dhe Argtim Hani, afarist i dalluar në fushën e patundshmërisë (Hani Holding) në Vjenë.

600