Shkurt.ch

Mbrojtja: ishte aksident, 39 muaj burg për vrasësin e të dashurës

Avokati Bortoluzi: "Ai nuk ka dashur ta vriste të dashurën e tij por vrasja kjo ka ndodhur në mënyrë aksidentale"

Avokati mbrojtës i të akuzuarit Sabit. I., për vrasjen e të dashurës ka mbajtur sot pledoajenë e tij para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Uster të Cyrihut.

Ai, në mbrojtjen e tij ka pleduar për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje. Për këto vepra penale, avokati i kosovarit 23 vjeçar ka thënë se 39 muaj burg do të ishte masa më e lartë e mundshme. Ai po ashtu ka kërkuar që klienti i tij të lirohej nga akuza për rrezikim jete.

Avokati Mario Bortoluzi, që është mbrojtës për nga detyra, ka ngulur këmbë se dorasi nuk ka dashur ta vriste të dashurën e tij por vrasja kjo kishte ndodhur në mënyrë aksidentale.

Bortoluzi me këtë rast ka kritikuar mediet, të cilat, sipas tij, e kanë demonizuar “duke e paraqitur si bishë të egër” klientin e tij.

Trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Uster pritet që vendimin ta shpallë deri në fund të kësaj jave.