Integrimi

Për zjarrvënie dhe njëmbëdhjetë vepra të tjera, Malushi dëbohet nga Zvicra

61-vjeçari është gjykuar në Gjykatën e Qarkut Lenzburg për veprat penale si: djegia e një veture, demolimi i një makine tjetër dhe lëndimi i një personi

Aktakuza kundër Malushit (emri i ndryshuar), me të cilën është marrë së fundmi Gjykata e Qarkut në Lenzburg, kishte 17 faqe. Akuzat ndaj kosovarit 61 vjeçar variojnë nga zjarrvënia dhe lëndimi trupor deri te dëmtimi i pronës, keqpërdorimi, kërcënimet dhe tentativa për shtrëngim, përcjell albinfo.ch. Në aktakuzë përfshihen edhe disa kundërvajtje në trafikun rrugor.

Malushi , pasi ka qenë në paraburgim për 176 ditë, sërish është i lirë që nga marsi i këtij viti. E gjithë kjo si masë zëvendësuese. Ai është trajtuar fillimisht në spital, tani merr terapi ambulatore dhe nuk lejohet të largohet nga vendi, sepse, me raportin psikiatrik ai është diagnostikuar me një çrregullim afektiv bipolar. Ky raport ka rezultuar në një ulje të lehtë të fajësisë dhe dënimit.

“Vitin e kaluar unë i kam rënë murit me kokë”, është shprehur Malushi në gjykatë. E gjitha kishte filluar kur ai u nda nga gruaja. Më e rënda nga dymbëdhjetë veprat që e ngarkojnë atë është zjarrvënia. Malushi donte të hakmerrej ndaj një të njohuri për shkak të një “konflikti që kishte ndodhur vite më parë”, sipas aktakuzës, shkruan gazeta Aargauer Zeitung.

Për këtë qëllim, ai i kishte vënë zjarrin makinës së tij në një parking të kompanisë në Othmarsingen duke përdorur një koktej molotovi dhe kishte shkaktuar 20,000 franga dëme materiale, sipas prokurorit publik.

Malushi kishte treguar “energji të konsiderueshme kriminale” sepse e kishte planifikuar veprimin e tij në detaje: për shembull, ai kishte mësuar si prodhohet bomba Molotov, kishte zgjedhur pikërisht një natë me shi, kishte çmontuar paraprakisht targat e tij dhe e kishte deponuar telefonin e tij mobil në një dyqan.

Malushi jeton në Zvicër që nga viti 1983. Ai këtu kishte punë të ndryshme dhe veç tjerash shiste makina të përdorura që i kishte blerë për disa qindra franga. “Ndonjëherë bëja një fitim të vogël, ndonjëherë fare ose humbja”, thotë ai.

Në një rast, kur Malushi nuk kishte marrë paratë e tij nga një shitje – bëhej fjalë për rreth 400 franga – dhe kishte parë makinën të parkuar në Cyrih, “nga inati, ai kishte vendosur të prishte makinën me një shufër hekuri dhe të thyente të gjithë xhamat. “Doja ta bëja të palëvizshme”, thotë Malushi.

Më pas, Patrisi, ai i cili e kishte huazuar makinën nga pronari i ri, kishte ndërhyrë – por Malushi kishte vazhduar ta godiste Patrisin në kyçin e dorës së djathtë, duke i shkaktuar një ndrydhje dhe duke i shkatërruar orën e dorës.

Fyerjet e shumta, kërcënimet dhe tentativën për shtrëngim si dhe abuzimin me sistemin e telekomunikacionit ai i ka bërë më së shumti ndaj drejtuesit të institucionit psikiatrik në të cilin ishte trajtuar përkohësisht Malushi.

Drejtuesi kishte paraqitur një raport rreziku në zyrën e qarkullimit rrugor, ku Malushit i është dashur të dorëzojë patentën e shoferit, transmeton albinfo.ch. Nga inati, sipas aktakuzës, ai i telefononte drejtuesit në fjalë “pothuajse çdo ditë”, e ofendonte, e ndiqte në parking dhe e kërcënonte – duke i thënë se do t’i vinte flakën makinës së tij dhe do ta “rrahte aq shumë sa që do të vinte ndihma e shpejtë” .

Veç kësaj, edhe pasi i ishte marrë patenta e shoferit, Malushi e ngiste makinën “pothuajse çdo ditë” sepse e konsideronte veten si të aftë për këtë gjë. Gjatë kontrolleve janë konstatuar disa herë targa false (ndonjëherë të bëra vetë), mungesa e mbulesës së sigurimit dhe vinjetës së autostradës.

“Do të kishte qenë krejtësisht e arsyeshme dhe e pritshme që i akuzuari të përmbahej nga veprimet e tij”, thuhet në deklaratën e prokurorit, transmeton albinfo.ch. Por avokati i Malushit është kundërpërgjigjur duke thënë se argumentimi i tij bie ndesh me raportin psikiatrik: “Malushi nuk është njeri i keq, por në radhë të parë i sëmurë mental dhe meriton mjekim”.

Prokuroria publike ka kërkuar 30 muaj burg plus terapi ambulatore, 40 njësi ditore prej 20 frangash dënim me para, 1000 franga gjobë dhe dëbim dhjetëvjeçar nga vendi. Gjithashtu, sipas prokurorisë, Malushi duhet të përballnte shpenzimet e hetimit, procedurave dhe ndjekjes penale (gjithsej 22240 franga).

Ndërsa kryetarja e Gjykatës, Danae Sonderegger Coradi, ka pranuar shumicën e kërkesave, por në vendimin e saj i ka shqiptuar 30 muaj pjesërisht të kushtëzuar: 24 muaj janë shlyer dhe vetëm gjashtë muaj duhet t`i mbajë si burg efektiv, të pakushtëzuar, përcjell albinfo.ch. Por, kaq dhe madje më shumë muaj ai i ka vuajtur tashmë në paraburgim dhe ditët e tepërta të paraburgimit do të llogariten në çdo paraburgim të shqiptuar për ndonjë vepër të re.

Terapia ambulatore nuk i është urdhëruar pasi Malushi do të dëbohet nga vendi pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë. Sipas deklaratës së tij, Malushi tani dëshiron të plaket në Kosovë dhe të kujdeset për nënën e tij.