Futboll

Lusanne Ouchy i futbollistëve shqiptarë siguron Superligën zvicerane

Lausanne-Ouchy për herë të parë do të garojë në Superligën e Zvicrës në futboll. Katërshja shqiptare përbën bazën e skuadrës

Në Superligën e Zvicrës për edicionin e ri do të rritet numri i futbollistëve shqiptarë.

Kjo pasi Lusanne Ouchy siguroi ngjitjen në elitë falë rezultatit të përgjithshëm 6:2 ndaj Sion-it, që ishte në Superligë dhe në edicionin e ardhshëm do të jetë në Challenge Ligë, shkruan albinfo.ch.

Në ndeshjen e dytë, atë të kthimit Lusanne triumfoi 4:2 dhe protagonist absolut ishte Liridon Mulaj me dy gola gjithashtu edhe Alban Ajdini shënoi një gol.

Ashtu si në ndeshjen e parë, Mulaj zhbllokoi rezultatin në minutën e gjashtë, ndërsa mysafirët barazuan pas 17 minutash me Zuffi.

10 minuta nga fundi i pjesës së parë, Lusanne mori avantazhin, këtë herë me Ajdinin, i cili u shërbye nga lojtari tjetër me origjinë shqiptare Qarri. Ndërsa nga minuta e parë ishte Hajrullahu si mbrojtës. Por, pjesa e parë u mbyll në barazim, kjo pasi Sion shënoi me Grgic në minutën e 39-të.

Në pjesën e dytë, vendasit shënuan me Okou në minutën e 81-të, ndërsa llogaritë i mbylli 24-vjeçari, Liridon Mulaj me golin e katërt në minutën e 89-të.