Shkurt.ch
Lexuesit e albinfo.ch “zgjedhin” një parlament ndryshe
Dallime të mëdha, të pritura, në preferencat e lexuesve të albinfo.ch, krahasuar me ato të votuesve zviceranë
Një sondazh online që e ka bërë albinfo.ch gjatë tri javëve të fundit para zgjedhjeve nacionale të Zvicrës ka pasqyruar preferencat e elektoratit potencial shqiptar në raport me partitë kryesore zvicerane. Sipas rezultatit përfundimtar të nxjerrë nga afër 700 vota, del se shqiptarët, respektivisht lexuesit shqiptarë të albinfo.ch tregojnë prirje që ndryshojnë dukshëm nga prirjet e elektoratit zviceran, të treguara në zgjedhjet e fundit.
Kështu, favorite e qartë e lexuesve tanë pjesëmarrës në sondazh është partia Socialdemokrate (SP-PS), e cila do të zgjidhej nga 40 për qind e tyre. Sigurisht ky favorizim i SP-PS-së lidhet me identifikimin e saj si “parti e Calmy-Rey”, presidentes në dorëheqje, të cilës i takojnë merita të pakontestueshme për njohjen dhe afirmimin e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Pos saj, SP-PS identifikohet edhe me kundërshtimin ndaj iniciativave të qarqeve konservatore kundër të huajve në Zvicër. Po kështu, shumica dërmuese e kandidatëve shqiptarë për zgjedhje lokale, kantonale dhe federale në Zvicër, kanë qenë pikërisht nga kjo parti.
Të përkujtojmë se zviceranët që votuan të dielën, kësaj partie i dhanë pak më shumë se 18% të votave.
Prapa SP-së vijnë të Gjelbrit. Kjo parti, po të zgjidhej nga lexuesit e albinfo.ch, do të fitonte 19% ose mbi dyfishin e votave të fituara në realitet. Edhe këtu kemi identifikimin partisë me emrin e kryetarit të saj, Ueli Leuenberger, i njohur dhe i çmuar si mik i shqiptarëve. Më pak mund të besohet se rezultati ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes ekologjike të komunitetit tonë.
E treta në radhë është partia demokristiane CVP-PDC, e cila ka fituar besimin e 12% të pjesëmarrësve në sondazhin tonë. Duhet thënë se kjo parti ka marrë afërsisht kaq përkrahje shikuar në përqindje, edhe nga votuesit në terren (12.1%).
“Votimi” i lexuesve tanë për këtë parti mund të vihet në lidhje me dy nisma që CVP ka marrë në raport me shqiptarët në dy kantone të ndryshme të Zvicrës. Në fillim të vitit, në kantonin e Lucernit qe themeluar një trup i kosovarëve në kuadrin e kësaj partie, i quajtur CDK, ndërsa pak para zgjedhjeve në Argau ishte lidhur një marrëveshje në mes të PSHDK-së dhe CVP-PDC-së në nivel kantoni.
Për FDP-PLR janë shprehur 8 për qind e lexuesve të albinfo.ch, aq sa edhe për SVP-UDC. Ndërkohë që për liberalët kjo përqindje duket reale, paraqitet e habitshme prirja e një përqindjeje mjaft solide të shqiptarëve për SVP-në, partinë e identifikuar prej vitesh me iniciativa kundër të huajve dhe shpesh edhe konkretisht kundër shqiptarëve!
Sigurisht, në sondazhe të tilla, pa obligime, nuk përjashtohet mundësia që një numër “votuesish” të veprojnë të dirigjuar nga frustrimi i momentit ose thjeshtë të eksperimentojnë me preferencat e tyre. Këto mund të jenë dy nga shpjegimet lidhur me përcaktimin e këtij 8 përqindëshi për SVP-UDC-në.
Mund të vazhdoni të votoni në albinfo.ch.
Të tjera nga Shkurt.ch
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e Shoqatës “Bashkimi Uster” kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor