Shkurt.ch

Lënda “Lumengo”, para Gjykatës Federale

Akuza për falsifikim të fletëvotimeve tash është riaktivizuar nga gjykata më e lartë e Zvicrës, Gjykata Federale në Lozanë

Kundër lirimit si të pafajshëm që i ishte bërë deputetit nacional Ricardo Lumengo nga një gjykatë e Bernës, është ankuar Prokuroria e Përgjithshme e Bernës, kështu që Lumengo duhet të ballafaqohet sërish me drejtësinë.

Akuza për falsifikim të fletëvotimeve që i ishte drejtuar deputetit që përfaqësonte Partinë Socialdemokrate të Bernës në parlamentin e vendit tash është riaktivizuar nga gjykata më e lartë e Zvicrës, Gjykata Federale në Lozanë.

Ka mbetur e hapur çështja e dallimit në mes të “kapjes së votave” (nxitjes për ta votuar) dhe falsifikimit të votave, që është një vepër e cila parasheh dënim më të ashpër. Kështu ka deklaruar prokurori Christoph Scheuer për gazetën “Langenthaler Tagblatt”.

Sipas vendimit të gjykatës së shkallës më të ulët, Liumengo ishte liruar nga akuza për falsifikim të votave por kishte mbetur në fuqi akuza për “kapje” të votave. Mirëpo, kjo akuzë tashmë ishte vjetërsuar, kështu që deputeti qe liruar si i pafajshëm.