Futboll

Kritika ndaj Katarit, reagojnë tifozët

Kur duhen më pak se 24 orë nga nisja e eventit më të madh të futbollit, ‘Qatar 2022’, pakënaqësia ndaj organizatorëve sa vjen edhe shtohet.

Edhe pse është botërori më i shtrenjtë në histori të futbollit, me një vlerë prej 220 miliardë dollarësh, sërish ka një sërë problemesh. Akomodimi është pika kryesore, ku Katari nuk i ka kapacitetet e duhura, kështu që ka vënë në përdorim tendat e ndryshme dhe kontejnerët.

Kjo gjë ka shkaktuar zemërim tek tifozët e parë të mbërritur në shtëpinë e Botërorit. Në pamjet e publikuara shihet një fshat i improvizuar, ku do të qëndrojnë tifozët që duan të ndjekin ndeshjet në stadium.

Mediat britanike kanë vërshuar kritikat ndaj organizatorëve, pasi një pjesë e tifozerisë së Anglisë do të qëndrojnë aty, afro 60 mijë.

Secili prej tyre për një natë duhet të paguajë 185 paundë, ndërkohë mungon shërbimi. Po ashtu Katari ka konfirmuar se pijet alkoolike nuk do të lejohen përgjatë eventit, jo vetëm në stadium, por dhe në ambientet e akomodimit. Siguria ndër të tjera do të jetë e lartë, ku dhe mediat nuk janë lejuar të filmojnë, kjo për shkak të kushteve të tmerrshme ku tifozët do të qëndrojnë./euronews