Shkurt.ch

Kosovarit i shtohet dënimi për vrasje nga 15 në 18 vjet

Trupi gjykues ka tejkaluar edhe kërkesën e padisë, e cila kishte pleduar për 16.5 vjet burg për kryesin e vrasjes ndaj një roje nate

Në vitin 1999, një kosovar kishte vrarë me armë zjarri një punëtor të sigurimit fizik (securitas) në Langenthal të kantonit të Bernës. Pas vrasjes ai qe arratisur dhe nuk u kishte rënë në dorë organeve të ndjekjes për plot nëntë vite.

Pasi ishte kapur, ai qe dënuar me 15 vjet heqje lirie, por Gjykata e Lartë e Bernës me një vendim që ka marrë të enjten, ia ka ngritur atij masën e dënimit në 18 vjet. Duke marrë këtë vendim, trupi gjykues ka tejkaluar madje edhe kërkesën e padisë, respektivisht të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kishte kërkuar 16.5 vjet burg për kryesin e vrasjes.

Nga ana tjetër, mbrojtja kishte kërkuar një zbritje të dënimit në 8 vjet heqje lirie, sepse, sipas saj, nuk bëhet fjalë për vrasje të rëndë por për vrasje me paramendim.

Kosovari, tashmë 44 vjeç, qe dënuar në nëntorin e vitit 2010 për veprën e kryer në vitin 1999, kur ai bashkë me një person tjetër kishte hyrë të plaçkiste në një sallon lojërash të fatit në Langenthal, shkruan “Berner Zeitung”.

Pasi që ishin zënë në vepër nga një roje e securitasit, kosovari kishte shtënë me armë drejt tij dhe e kishte vrarë. Pas aktit të kryer ai ishte “zhdukur” për një kohë të gjatë. Më në fund, ai ishte zbuluar në vitin 2008 në Irtali , ndërsa bashkëpunëtori i tij vazhdon të jetë në arrati.

Rojtari i vrarë i lokalit, atëbotë 57 vjeç, natën fatale nuk kishte pasur shërbim, por e kishte zëvendësuar një kolegë të tij më të ri.