Shkurt.ch

Kosova vazhdon të ketë deficit tregtar

Më së shumti ka eksportuar në Itali, rreth 29 për qind, në Shqipëri 12, Zvicër 9, kurse në Maqedoni rreth 7 për qind

 

Kosova gjatë janarit tregtinë më të madhe e ka bërë me vendet e BE-së, ku janë eksportuar rreth 40 për qind e mallrave ndërkaq janë importuar rreth 37 për qind e tyre.

Më së shumti ka eksportuar në Itali, rreth 29 për qind, në Shqipëri 12, Zvicër 9, kurse në Maqedoni rreth 7 për qind.

Ndërsa përqindja më e madhe e importit është nga Maqedonia 14 për qind, Gjermania 11 dhe Serbia 9 për qind. 

Nga kjo shihet se Kosova vazhdon të shënojë deficit të lartë në marrëdhëniet tregtare me botën e jashtme.

Gjatë janarit të këtij viti deficiti ishte 112.8 milion euro, përderisa në janarin e vitit të kaluar ishte rreth 110 milion euro.

Eksporti në janar ishte vetëm 18.7 milionë, kurse importi prej 131.5 milionë euro.

Këto të dhëna i paraqiti sot Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare i Agjencisë së Statistikave të Kosovës. 

 

Sipas të dhënave rreth 63 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, rreth 10 për qind produktet minerale, 5 për qind produktet bimore, dhe vetëm rreth 4 ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.

Ndërkaq sa i përket importit, rreth 28 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, rreth 9 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, metalet bazë dhe artikuj prej tyre, dhe 8.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani.