Kosova

Kosova, në prag të masave të reja anti-Covid

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar sot (e premte) me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Në këtë takim është vlerësuar situata epidemiologjike me COVID-19 në vend, e cila ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit, përcjell albinfo.ch.

Me këtë rast, Hoti ka thënë se është përsëritur domosdoshmëria e zbatimit të rekomandimeve të IKSHPK-së dhe respektimit të masave kufizuese për të gjitha aktivitetet publike.

“Sot kam mbajtur takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe me përfaqësues të Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, për të vlerësuar situatën epidemiologjike me COVID-19 në vend, e cila ka shënuar rritje të rasteve në dy javët e fundit.

Në këtë takim është përsëritur domosdoshmëria e zbatimit të rekomandimeve të IKSHPK-së dhe respektimit të masave kufizuese për të gjitha aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”, ka shkruar kryeministri në Facebook.