Shkurt.ch

Kosova me 120 mijë hektarë parqe nacionale

Vetëm sipërfaqja e Parkut Nacional "Bjeshkët e Nemuna" arrin në 62.000 hektarë

 

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimligjet për Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit dhe të Bjeshkëve të Nemuna.

Këto projektligje janë pjesë e infrastrukturës së re ligjore në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

 

Bjeshkët e Nemuna kanë vuajtur nga mungesa e kornizës ligjore bazë për mbrojtjen institucionale dhe zhvillimin e këtij resursi të çmuar. Kjo zonë me bukuri të veçantë natyrore fatkeqësisht i është nënshtruar shkatërrimit nga ndërtimet e egra, të cilat kanë përkeqësuar dëmet nga prerja ilegale e pyjeve, shkruan Koha Ditore.

 

Me miratimin e këtij Ligji, Kosova do ta ketë parkun e dytë kombëtar. Sipërfaqja e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” arrin në 62.000 hektarë.

Projektligji për Parkun Kombëtar “Sharri” ishte i nevojshëm sepse mbrojtja e kësaj zone ka qenë e penguar nga mos harmonizimi i ligjit të vitit 1986 me dispozitat e sotme; dhe me këtë Ligj Parkut Kombëtar “Sharri” i shtohen mbi 20 000 hektarë që i takojnë komunës së Dragashit.

Më këto propozime vendi ynë përmbushë standardet evropiane që obligojnë shtetet anëtare të shpallin zonë të mbrojtur natyrore së paku 10% të territorit të tyre.

Rëndësia e tyre është shkencore dhe arsimore, përveç rëndësisë së qartë turistike dhe rekreative.

Ngritja e kapaciteteve turistike është një rast ideal për tërheqjen e investime të reja nga Kosova dhe nga jashtë.