Kosova

Kosova ende nuk ka kapacitetet që t’i konfirmojë variantin e ri britanik të koronës

Në një prononcim të fundit, Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka njoftuar se deri më tani janë identifikuar vetëm tri raste të variantit të ri të COVID-19, përcjell albinfo.ch.

Sipas Krasniqit, Kosova ende nuk i ka kapacitetet që t’i konfirmojë variantet e reja të koronavirusit, teksa bëri të ditur se deri më tash nuk kanë vërejtur ndonjë ashpërsim të gjendjes së pacientëve.

“Deri më tash kemi dërguar në Gjermani 30 mostra, kemi 3 raste me variantin e ri, që të tre janë shëruar dhe nuk kanë pasur pasoja serioze, ndërkohë që nuk kemi konfirmim me raste të reja. Por, Kosova ende nuk ka kapacitetet e veta vetanake për t’i identifikuar këto variante”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Krasniqi në Argument Plus gjithashtu tha se se rritja e numrit të rasteve ka qenë edhe e paralajmëruar nga ta pasi që javët e fundit nuk janë respektuar aspak masat.