Lajme

Kosova e përkushtuar për mbrojtjen e refugjatëve

Institucionet e Kosovës e kanë aprovuar Strategjinë e Migrimit dhe e kanë hartuar Planin e Veprimit 2013-2018 dhe se janë në proces të hartimit të Profilit të Zgjeruar të Migrimit

Autoritetet kosovare do t’i përmbushin të gjitha obligimet ndërkombëtare që kërkohen për mbrojtjen e migrimit dhe të refugjatëve. Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka në një tryezë me temë: “Mbrojtja e Refugjatëve dhe Migrimi Ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor”.

 

Kjo tryezë u organizua nga Ministra e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me UNHCR-së dhe IOM-it.

 

Zëvendësministri Izmi Zeka tha se Qeveria e Kosovës, duke marrë për bazë obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, sfidat e identifikuara në Raportet e Progresit të viteve 2012 dhe 2013, studimit të Fizibilitetit të Komisionit Evropian, ka filluar t’i zhvillojë  kapacitetet dhe ekspertizën mbi një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me migracionin.

 

“Republika e Kosovës ka hartuar dhe aprovuar ligje dhe dokumente tjera strategjike relevante që dalin si nevojë e përmbushjes së kritereve teknike nga procesi i liberalizimit të vizave. Ky legjislacion është në harmoni me Acquis Communitaire të BE-se”, ka deklaruar Zeka.

 

Me këtë rast u tha se institucionet e Kosovës e kanë aprovuar Strategjinë e Migrimit dhe e kanë hartuar Planin e Veprimit 2013-2018 dhe se janë në proces të hartimit të Profilit të Zgjeruar të Migrimit.

 

Roberto Cancel nga organizata IOM tha se organizimi i këtij takimi është hapi i parë drejt bashkëpunimit në nivel rajonal, duke shpresuar që të ketë një qasje të përgjithshme sa i përket migracionit.

 

Ndërkaq, përfaqësuesi i UNHCR-së Luca Curci theksoi iniciativën për një qasje rajonale në adresimin e sfidave përkitazi me mbrojtjen e refugjatëve dhe  menaxhimin e migracioneve të përziera.

 

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe për temat si “Mbrojtja e Refugjatëve dhe Migrimet e Përziera”, si dhe “Bashkëpunimi ndër-Institucional në kontekstin e Mbrojtjes së Refugjatëve dhe Migrimit Ndërkombëtar”.