Kosova

Kosova diskuton me Izraelin për të siguruar vaksinën anti-Covid

Është bërë e ditur se pas njohjes nga Izraeli dhe hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, shteti izraelit ka vendosur të thellojë bashkëpunimin me Kosovën, kësaj radhe në fushën e shëndetësisë, përcjell albinfo.ch.

Në një njoftim të dërguar nga MPJD, thuhet se sot ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe homologu i tij nga Izraeli, Yuli Edelstein, do të flasin rreth sigurimit të vaksinave antiCOVID për qytetarët e Kosovës.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka organizuar një takim virtual mes ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein. Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Përmes njotimit, thuhet se Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme. Takimi do të mbahet sot, e mërkurë  (17 mars), në orën 16:00.