Shkurt.ch

Koncert me motive shqiptare në Zvicër

Të dielën në Basel të Zvicrës u mbajt një koncert me motive shqiptare

Të dielën në Basel të Zvicrës u mbajt një koncert me motive shqiptare.Pjesa për soprano, e kompozuar nga Thoma Simaku, një shqiptar që jeton në Angli, u mbajt këtë të diel në Musiksaal QuBa në Basel. Muzika ishte komponuar sipas poezisë së Visar Zhitit, njofton gazeta Express.

Christina Simolka (soprano) dhe Rene Wohlhauser (piano) interpretuan pjesën e marrë nga vëllimi me poezi «Dyer të gjalla», një pjesë e përkthyer në anglisht nga Robert Elsie.

Kompozitori edhe më parë është shprehur për frymëzimet shqiptare të muzikës së tij. “Kjo poezi me të vërtetë të mbërthen: në një hapësirë kaq të vogël ka një koncentrim dhe intensitet të përsosur”, thotë ai.

Po kjo pjesë, thotë gazeta e lartpërmendur, do të interpretohet në Paris më 2 tetor. Po ashtu, një pjesë tjetër e kompozuar në Berlin, por me temë shqiptare, do të luhet në Festivalin Ndërkombëtar në Nikozia të Qipros, më 16 shtator, nga instrumentalistë të Grupit të Muzikës Bashkëkohore të Moskës.