Shkurt.ch

“Kompromis”: tash “kosovari ther zviceranin” e jo kosovarët

SVP-UDC kishte pranuar të modifikonte titullin e pllakatit të saj, duke e kthyer atë nga shumësi "kosovarët" në njëjës "kosovari"

Nga “kosovarët therin zviceranin” e kanë bërë “kosovari ther zviceranin”. Ky është i gjithë “kompromisi” që ka pranuar ta bënte SVP-UDC kundrejt gazetave të cilat nuk kishin pranuar ta botonin reklamën e saj propaganduese për fushatën e iniciativës “Të ndërpritet imigracioni masiv”.

E ballafaquar me kundërshtimin e gazetave si “Südostschweiz” dhe “Aargauer Zeitung”, për të cilat titulli në shumës “kosovarët” ishte tepër përgjithësues dhe denigrues për një popullatë të tërë, SVP-UDC kishte pranuar të modifikonte titullin e reklamës-pllakatit të saj, duke e kthyer atë në njëjës “Kosovari”, shkruan 20minuten.ch.

“Megjithëse edhe varianti i parë ka qenë korrekt”, thonë në SVP-UDC, duke pranuar ndryshimin ata kanë vepruar “në mënyrë pragmatike”, për faktin se edhe ashtu thelbi i çështjes nuk ndryshonte.

Të rikujtojmë: në tekstin burimor që i është bashkëngjitur panosë për iniciativën “Të ndërpritet imiracioni masiv” shkruan: “Kosovarët therin zviceranin”. Në vazhdim thuhet se kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e imigimit masiv e të pakontrolluar. Dhe, si ilustrim, përshkruhet rasti që ndodhi më 15 gusht në Interlaken.

Në gazetën “St.Galler Tagblatt” fillimisht ishte publikuar varianti i parë, për çfarë më vonë gazeta u ka kërkuar falje lexuesve se “syzheu që nxit urrejtje ka gjetur gabimisht, i pakontrolluar rrugën për në gazetë. Me të denigrohet në mënyrë paushalle një grup i tërë etnik”.