Futboll

Këto janë komentet e Behramit për Shaqirin, Xhakën e Jasharin

Ish-bashkëlojtari i Shaqirit te Zvicra, Valon Behrami, ka deklaruar se Xherdan Shaqiri duhet të përgatitet për rolin e “xhokerit” te përfaqësuesja e Zvicrës në futboll, përcjell albinfo.ch.

Sajti zviceran, “bluewin.ch” ka publikuar një intervistë të Behramit, që tashmë i ka dhënë fund karrierës. Në intervistë, ish-lojtari luftarak i Zvicrës ka folur edhe për Granit Xhakën e Ardon Jasharin.

Fillimisht Behrami është pyetur nëse Xhaka dhe përzgjedhësi Murat Yakin kanë raport të mirë. Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe javë më parë indirekt e ka kritikuar Yakinin.

“Graniti mund të jetë problem edhe në momente kur nuk flet shumë, pasi mund të ndihet personaliteti i tij. Në secilin ekip janë tre-katër lojtarë që mund të ndihen edhe nëse nuk flasin. Mund të shihet kur janë nervozë apo të pakënaqur. Në ekipin nacional, këta janë Graniti, Akanji dhe Shaqiri. Mund të ndieni që nuk kanë ndikim pozitiv tek të tjerët. Mund ta shihni këtë te Graniti, për shembull. Ai është i mirë, por unë e njoh. Nuk është 100 për qind i kënaqur”, ka thënë Behrami.

Sipas Behramit, ndeshja me Kosovën ka treguar se Shaqiri nuk është i gatshëm.

“Por kjo është normale, trupit të tij i duhet shumë punë çdo ditë. Kjo po ashtu është një situatë e vështirë. Mendoj se tani është një moment i mirë të flitet me të, t’i shpjegohet që ndoshta statusi i tij në këtë ekip mund të ndryshojë. Mund të aktivizohet në 20 apo 30 minutat e fundit. Mendoj që është momenti i duhur t’i thuhet atij në momentin e duhur”, ka thënë Behrami.

Ish-mesfushori ka folur edhe për Ardon Jasharin. Jashari së fundi ka refuzuar ftesën e Zvicrës U21. Ka thënë se është në dispozicion vetëm për përfaqësuesen A të Zvicrës. Behrami ka pranuar se edhe ai kishte gabuar kur ishte 19 apo 20-vjeçar.

“E kuptoj Jasharin. Është i ri, kapiten i Luzernit, ishte në Kupën e Botës, u kthye, ka shpresuar për transfer në verë, që nuk u realizua. Në këtë moshë bëhen ulje e ngritje. Nuk është vetëm mentale. Një gjë është e qartë: Jashari është e ardhmja jonë. Federata duhet ta dijë këtë. Mendoj se janë gabime që mund të bëhen. Duhet të flitet për këto dhe të pranohen”, ka thënë Behrami.

Ai nuk pajtohet me kritikat e shumta ndaj Jasharit. Thotë se Jashari nuk e kishte situatën nën kontroll dhe se ky gabim do të jetë i rëndësishëm për të ardhmen e tij.

Behrami 38-vjeçar, për Zvicrën i ka luajtur 83 ndeshje, ndërsa ka shënuar dy gola. Për kohë të gjatë ishte prej liderëve të përfaqësueses helvetike. Në nivel skuadrash ka bërë po ashtu karrierë të madhe. Ishte pjesë e Brescias, Genoas, Sionit, Udineses, Watfordit, Hamburgut, Napolit, Fiorentinas, West Hamit, Lazios, Veronas e Luganos.