Shkurt.ch

Kërcënim me vdekje për kryetarin e Bettwilit, shkak: azilantët

Kërcënimi i ka ardhur të premten, një ditë pasi që një tubim i qytetarëve me udhëheqësit e kantonit kishte dalë nga binarët normalë

Përshkallëzon konflikti rreth qendrës së planifikuar të azilit, ku do të strehoheshin 140 azilkërkues, në komunën e vogël Bettwil të kantonit të Aargaut.

Qeveria Federale ndërkohë ka kundërshtuar rezistencën e banorëve, duke treguar se bëhet fjalë vetëm për një masë emergjente që do të zgjasë gjithsej gjashtë muaj.

Një komitet i formuar për të rezistuar kundër kësaj qendre ka planifikuar një varg masash, që mbahen sekret, të mosbindjes qytetare. Por ndërkohë, kryetari i komunës, Wolfgang Schilber ka marrë një kërcënim me vdekje.

Me gjithë faktin se ai që nga fillimi ka qenë kundër qendrës së strehimit në komunën e tij, siç shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”, Schibler që vjen nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP-UDC) është përballur me këso kërcënimesh.

Kërcënimi i ka ardhur të premten, një ditë pasi që një tubim i qytetarëve me udhëheqësit e kantonit kishte dalë nga binarët normalë.

Me kërcënimet kundër tij tashmë po merret prokuroria.